Editorial nga PressOnline.al
Përderisa Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike, ka shprehur qëndrimin se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela nga “Fronti Evropian” janë deklaruar se janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mexhiti i konsideron zgjedhjet e parakohshme parlamentare si humbje kohe për shtetin dhe qytetarët. Ndërsa Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela thonë se janë për zgjedhje të parakohshme të jashtëzakonshme parlamentare bashkë me ato lokale.
Edhe pse Izet Mexhiti nuk ka deklaruar se ka frikë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare – megjithatë pas kësaj deklarate fshihet frika nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ja pse?
VLEN është një koalicion relativisht i ri dhe në zgjedhje të parakohshme nuk do të kishte shumë kohë për t’u përgatitur mirë dhe për të ndërtuar një platformë të fortë që t’i sjellë vota. Tanimë që me shumë gjasa nuk e ka edhe një nga shtyllat kryesore brenda Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit, ky koalicion është për 50 % më i dobët.
Zgjedhjet e hershme dobësojnë përfaqësimin e VLEN-it përballë partive BDI (Fronti Europian) dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.
Aktualisht, si pjesë e shumicës parlamentare dhe si zëvendëskryeministër, Mexhiti ka pushtet real. Zgjedhjet e parakohshme mund ta rrezikojnë këtë pozitë, nëse ndodhin ndryshime në ekuilibrin politik.
Duke kundërshtuar zgjedhjet e parakohshme, Mexhiti dhe VLEN po përpiqen të fitojnë kohë për t’u forcuar në elektorat. Frika nuk është nga zgjedhjet si të tilla, por nga rreziku që një performancë e dobët qeveritare të sjellë rezultat të dobëta.
Në zgjedhje të parakohshme, BDI mund të shfrytëzojë mobilizimin e saj tradicional në terren, makinerinë elektorale dhe rrjetin e strukturave lokale që ende i kontrollon. Kjo e bën VLEN-in të duket më i papërgatitur krahasuar me një makineri të fuqishme dhe të përgatitur si BDI.
Ndryshe nga BDI që ka një figurë të qartë si Ali Ahmeti, VLEN operon me një lidership kolektiv. Në një fushatë të shkurtër dhe intensive, mungesa e një figure unifikuese karizmatike siç është Arben Taravari mund të jetë pengesë për një mesazh të qartë politik.
Kundërshtarët shpesh akuzojnë VLEN-in se është aktiv vetëm në nivel deklarativ dhe mediatik, por nuk ka infrastrukturë elektorale të fortë në shumë komuna. Kjo mund të jetë një tjetër burim i perceptimit se “po shmangin zgjedhjet”.(PressOnline.al)



