Albin Kurti është nominuar këtë të diel nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje si kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Albin Kurti ishte kandidat i vetëm për kryeministër. Kurti u propozua nga Glauk Konjufca.
Votimi u bë të dielën në Këshillin e Përgjithshëm të partisë në pushtet me shumicë votash.
Para delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, nënkryetari i kësaj partie, dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka theksuar se që nga pavarësia e vendit, kjo qeverisje ishte më e suksesshme për qytetarët dhe për Kosovën.
“Le ta mendojmë edhe një herë në qetësi dhe larg dezinformatave që për sovranitetin e Kosovës, për ushtrinë tonë për buxhetin tonë, për policinë tonë, për sigurinë tonë dhe për të gjithë sektorët vitalë e të jetës sonë institucionale, publike e shoqërore janë më mirë të organizuar sesa në vitin 2020 e më parë”, deklaroi Konjufca, trasnmeton RTK.
Duke folur për arritjet e kësaj qeverisjeje, Konjufca tha se LVV ka sjellë një kulturë të re të qeverisjes e cila nuk bën kompromise me shtetësinë, duke mbrojtur interesin shtetëror ashtu siç duhet dhe që lufton korrupsionin me çdo mjet.


