1. Lajme
  2. OPINIONE
  3. Evropa duhet të reagojë pas fitores së Trumpit

Evropa duhet të reagojë pas fitores së Trumpit

featured

Nga Thomas Piketty

Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet amerikane, Evropa nuk mund të jetë më e kënaqur me deklaratat e qëllimeve të mira: duhet të organizohet dhe të rimarrë kontrollin mbi çështjet botërore, pa pasur asnjë iluzion për atë që do të vijë nga Uashingtoni. Megjithatë, pika themelore është se do të jetë e pamundur të përballemi me sfidat socio-ekonomike, klimatike dhe gjeopolitike për sa kohë që njëzet e shtatë vendet e Bashkimit Evropian duhet të marrin vendime të përbashkëta e në mënyrë unanime, siç ndodh për fat të keq sot, veçanërisht në fushën financiare ose çështjet buxhetore.

E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është që një bërthamë e fortë shtetesh, të udhëhequr nga Franca dhe Gjermania, të vendosin në tryezë propozime konkrete që na lejojnë të bëjmë përparim si në nivel buxhetor ashtu edhe në atë institucional, pa pritur të biem të gjithë dakord.

Kjo hipotezë është evokuar disa herë në të kaluarën dhe gjithashtu së fundmi në raportin e Mario Draghit, i cili propozoi një plan të madh investimesh në Evropë. Ka ardhur koha për të vepruar. Për këtë nevojiten tre kushte: kësaj bërthame të fortë duhet t’i jepen themele institucionale dhe demokratike; është thelbësore që edhe Gjermania të ketë përfitimet e saj, veçanërisht në aspektin buxhetor, dhe jo vetëm Franca, Italia apo Spanja; është e nevojshme që brenda çdo shteti dhe në përgjithësi në kontinent, vizione të ndryshme politike, të djathta dhe të majta, të mund të shprehen dhe zhvillohen.

Le të fillojmë nga pika e parë. Për të formuar një bërthamë shtetesh të aftë për të marrë vendime financiare dhe buxhetore me gjithë legjitimitetin e nevojshëm demokratik, është e rëndësishme të krijohet një bazë solide institucionale dhe politike. Gjëja më e logjikshme do të ishte të nisej nga Ansambleja Parlamentare Franko-Gjermane (APFA), e krijuar në vitin 2019 si pjesë e rinovimit të traktatit dypalësh mes Francës dhe Gjermanisë. Një institucion i ri dhe pak i njohur, i përbërë nga njëqind deputetë nga të gjitha grupet parlamentare të Ansamblesë Kombëtare Franceze dhe Bundestagut gjerman, Apfa është takuar afërsisht dy ose tre herë në vit që nga krijimi i saj, dhe deri më tani është lënë në një rol konsultativ.

Por asgjë nuk i pengon të dy vendet t’i japin një rol vendim-marrës, veçanërisht për buxhetin, dhe ta hapin atë për të gjitha vendet e Bashkimit që duan të marrin pjesë, duke e shndërruar në një ansamble të vërtetë evropiane.

Ky bashkim parlamentar i forcuar do të bashkonte vendet e gatshme për kohezion më të fortë dhe që duan të kenë një rol më të madh në çështjet botërore, si dhe të investojnë në të ardhmen. Mbi të gjitha, ato mund të marrin kredi të përbashkëta për të financuar investime në energji, transport, kërkime dhe teknologji të reja.

Të kalojmë në pikën e dytë. Ndërsa disa vende, si Franca, Italia apo Spanja, do të mund ta pranonin këtë perspektivë, vështirësia kryesore ka qenë gjithmonë bindja e Gjermanisë, e cila është shumë e kujdesshme ndaj idesë së një borxhi të përbashkët, ose të marrjes së borxhit në përgjithësi. Megjithatë, situata po ndryshon: një pjesë në rritje e opinionit publik gjerman është e vetëdijshme se Berlini duhet të investojë në infrastrukturën e vet në rajonet më të varfra të lindjes dhe në të gjithë territorin. Ky është sot mendimi i shumicës së ekonomistëve gjermanë, të cilëve së fundmi iu bashkua edhe një pjesë e madhe industrialistësh. Kjo çështje, ndër të tjera po prish edhe koalicionin mes të majtës dhe liberalëve. Për të kapërcyer problemet e fundit, është e nevojshme të demonstrohet se borxhet e përbashkëta evropiane janë instrumenti i duhur.

Pika e tretë dhe e fundit: që një projekt kaq ambicioz të shohë dritën e diellit, është thelbësore që idetë e ndryshme politike të gjejnë hapësirë. Raporti i Draghi-t ka një qasje liberale dhe teknokratike: ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) insiston në subvencione publike për investimet private, për shembull në industri ose inteligjencë artificiale, dhe në qendrat e ekselencës së metropoleve të mëdha. Liberalët dhe e djathta do të ndiheshin rehat në këtë kontekst dhe sigurisht do të vinin theksin në rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe një “Kështjellë Evropë”, gjithnjë e më e mbyllur ndaj emigracionit.

E majta, në të kundërt do të insistonte në rëndësinë e investimeve në shtetin e mirëqenies sociale, arsimin, shëndetin publik dhe infrastrukturat e hapura për një numër sa më të madh njerëzish, si në lagjet e varfra ashtu edhe në rajonet periferike, dhe do të fokusohej në objektivat e drejtësisë fiskale.

Do t’i takonte ansamblesë evropiane dhe parlamenteve të shteteve, që të vendosnin dhe të zgjidhnin kontradiktat, nën vështrimin e qytetarëve evropianë. Nuk ka rëndësi nëse ky bashkim i detyruar do të fillojë vetëm me disa shtete: sot është emergjente të reagojmë ndaj traumës së fitores së Trumpit, duke pohuar në mënyrë eksplicite forcën e vlerave evropiane, demokracisë parlamentare, shtetit të mirëqenies dhe investimeve në të ardhmen. / THOMAS PIKETTY është ekonomist francez. Ai jep mësim në Ecole des Hautes études en Sciences Socials dhe në École d’économie de Paris. Libri i tij i fundit është “Një histori e konfliktit politik”. (Le Monde – BotaAL)

Evropa duhet të reagojë pas fitores së Trumpit
|