Përballë mazhorancës brenda sallës së seancave plenare qëndruan vetëm dy partitë më të reja të opozitës, Partia Djathtas e Enkelejd Alibeajt dhe Partia Mundësia e Agron Shehajt. Përfaqësuesit e këtyre forcave politike ngritën shqetësimin për mbetjet që ndodhen në anijen Molina në portin e Durrësit e të cilat dyshohet se janë të rrezikshme.
Përballë shqetësimit të opozitës ministri i Brendshëm Ervin Hoxha sqaroi se qeveria dhe institucionet po përpiqen të gjejnë vendin e përshtatshëm për mbetjet
“Janë mbi 102 kontejnerë që kërkojnë infrastrukturë të posaçme. Nuk janë kuti kartoni që mund ti fshehim e ti fusim kudo ku ju mendoni. Këto kontejnerë do të vendosen në hapësirë që monitorohen nga policia”, tha ministri.
Pak ditë më parë prokuroria e Durrësit sekuestroi 102 kontejnerët me afro 2 mijë e 100 ton mbetje në anijen turke “Moliva” të cilat dyshohen se janë pluhur nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike.
Kontejnerët u nisën nga Durrësi më 4 korrik drejt Tajlandës, e cila refuzoi ngarkesën pas alarmit, që dha organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit BAN”. /vizionplus.tv


