Partia opozitare LSDM në një kumtesë thotë se përderisa VMRO-DPMNE-ja çdo ditë e helmon opinionin me konferenca për media në të cilat gjoja sulmon BDI-në, ajo bën marrëveshje me të njëjtën BDI pas shpinës së qytetarëve.
“VMRO në Kuvend e realizoi njërën nga marrëveshjet e koalicionit me BDI duke themeluar një organ për monitorimin e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve. E njëjta VMRO që premtoi shfuqizimin e balancuesit, duke zbatuar marrëveshjen me BDI-në, e ngriti në një nivel më të lartë, në atë të Kuvendit. Tani kemi një balancues të përmirësuar dhe të zgjeruar, aplikimi i të cilit do të jetë përgjegjësi e Kuvendit. Në mëngjes Mickoski thotë se BDI do të destabilizojë vendin, ndërsa pasdite në Kuvend deputetët e tij votojnë vendime të përbashkëta me BDI-në. A nuk u bënë bashkëfajtorë në planin e destabilizimit? A do të dalë tani Miteva për të akuzuar deputetët e VMRO-së? Çfarë marrëveshje tjetër mes OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së?”, thonë nga atje.
Nga LSDM në fund shtojnë se një gjë është e qartë, marrëveshjet nën tavolinë, manipulimet dhe konfliktet e rreme publike mes dy palëve janë metoda që janë parë në të kaluarën dhe nuk kalojnë më, qytetarët i njohin.


