Kryeministri i vendit Albin Kurti në 26 vjetorin e rënies së komandantit Bekim Berisha–Abeja, ka thënë se ai ishte një nga luftëtarët më të fuqishëm dhe kreativ mes luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula ishin shembulli më i mirë i të gjithë atyre që u rreshtuan më pas në radhët e UÇK-së ka thënë Kurti.
“Sot në 26 vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula. Më 10 gusht të vitit 1998, këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut. Duke u vrarë në muajt e parë të luftës në Kosovë, Bekimi, Bedriu, Eltoni dhe Përmeti ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri tutje është shprehur se Bekim Berisha, është luftëtari më i kulluar i luftës kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, si luftëtar i tri luftërave në Jugosllavi: fillimisht në Kroaci, pastaj në Bosnje e Hercegovinë dhe së fundi në vendlindjen dhe atdheun e tij në Kosovë.
“Me një përvojë jetësore të jashtëzakonshme dhe me njohuri të gjera e të provuara ushtarake, Bekim Berisha – Abeja, ishte një nga luftëtarët më të fuqishëm dhe kreativ mes luftëtarëve të UÇK-së. Lavdi Bekim Berishës – Abejës, Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Kurti.





