Mickoski, Rama dhe Ivanoviç në Senatin amerikan, marrin mbështetje për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

featured

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Uashington ku po merr pjesë në samitin e radhës së NATO, i cili përkon me 75 vjetorin e krijimit të Aleancës.

Gjatë vizitës, kreu i qeverisë së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Filip Ivanoviç zhvilluan një takim me bashkëkryetarët e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan, demokratja Jean Shaheen dhe republikanin Thom Tillis.

Senatorët pasi vlerësuan rolin e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO, shprehën përkushtimin se SHBA do të ruajë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe do të mbështesë aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE.

“Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global”, tha senatorja Shaheen.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës, dhe si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, ne e bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare, në mënyrë të veçantë në kushtet kur Rusia vazhdon luftën e paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët tanë të NATO-s”, tha senatori Tillis.

Në takim morën pjesë edhe senatorët republikanë Mike Rounds, Jerry Moran dhe Pete Ricketts.

Mickoski, Rama dhe Ivanoviç në Senatin amerikan, marrin mbështetje për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
|