Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit, njohës të zhvillimeve politike në vend thonë se mund të ndodhë një surprizë. Sipas tyre, një surprizë mund të ndodhë në zgjedhjen e presidentit, pasi siç shprehen ata, mund të ndodhë që të “shkrihet” diferenca e madhe mes dy kandidatëve në garë, shkruan PRESSonline.al
“Në aspektin teorik, sidomos gjatë zgjedhjes së presidentit, mund të ketë një surprizë, për të ndryshuar këtë diferencë të madhe mes dy kandidatëve. Deklaratat dhe pikëpamjet e znj. Siljanovska Davkova – acarojnë elektoratin shqiptar. Në anën tjetër, nëse ka një bojkot të mundshëm, atëherë situata do të komplikohet edhe më shumë”, tha për Frontline Ismet Ramadani, nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, në zgjedhjet parlamentare të 8 majit situata është më e qartë për fituesit, por shton se nuk do të ketë të njëjtat dallime që kishim në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
“Pritet që partitë politike dhe kandidatët e tyre për deputetë të mobilizohen më shumë, të rritet pjesëmarrja dhe kjo të reflektohet në rezultatin përfundimtar. Forcat politike me orientim të qartë euroatlantik përballen me një sfidë të vështirë për të bindur votuesit e lodhur nga propaganda pro-ruse. Kjo retorikë propagandistike na detyron të konkludojmë se në një situatë të tillë as populli nuk ka të drejtë të gabojë”, theksoi ai, përcjell PRESSonline.al
Gazetari dhe analisti politik Driton Zenku thotë se zgjedhjet e 24 prillit janë një barometër i besueshëm për zgjedhjet e 8 majit.
“Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare do të ketë ndikim, por jo aq sa për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Koalicionet nga të dyja partitë, pavarësisht nëse janë në bllokun politik maqedonas apo shqiptar, do të përpiqen të rrisin numrin e votuesve. Në nivel të dy kampeve politike të të dyja palëve, numri i votave që mund të rrjedhin nga një bllok në tjetrin nuk do të kalojë 10 deri në 20 mijë vota. Nëse kemi një pasqyrë të numrit të deputetëve nga votat në zgjedhjet presidenciale, por edhe përllogaritjen e mandateve nga modeli ynë zgjedhor, në zgjedhjet parlamentare mund të presim jo më shumë se 3 deri në 7 deputetë, rritje nga njëra anë apo një rënie nga ana tjetër si në bllokun politik maqedonas ashtu edhe në atë shqiptar. Tani sa do të ndikonte ky numër në bllokun politik maqedonas dhe atë shqiptar për formimin e shumicës së re parlamentare, pritet të shihet në mbrëmjen e 8 majit”, tha Zenku për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Qytetarët do të votojnë më 8 maj për të zgjedhur 120 anëtarë të legjislaturës dhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për “të parin në vend” me mandat pesëvjeçar.







