Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia tashmë ka filluar me “masa represioni ndaj shqiptarëve”, pasi që Parlamenti Evropian, ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Kamberi ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) dhe institucionet tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj këtyre veprimeve të Serbisë.
Ai është shprehur se këto masa janë ndërmarrë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, pas këtij rekomandimi të Parlamentit Evropian.
“Të rinjë shqiptarë nga Bujanoci, po ndalen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar në këtë pikëkalim. Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë”, ka shkruar Kamberi.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë është shprehur se shteti serb sot është duke e shkelur brutalisht marrëveshjen për tabelat e regjistrimit.
“Këto masa po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE. Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve”, ka shkruar tutje ai.


