Kolla është sëmundje e parandalueshme me vaksinë dhe parandalimi më i mirë i kësaj sëmundjeje është vaksinimi i rregullt sipas skemës së vaksinimit të dhënë në Kalendarin e Imunizimit, thonë për PRESSonline.al nga Ministria e Shëndetësisë.
“Vëmendje e veçantë i kushtohet intensifikimit të vaksinimit të fëmijëve për vaksinimin DiTePer, domethënë zbulimit të të gjithë fëmijëve të vaksinuar jo të plotë dhe atyre që nuk janë vaksinuar dhe vaksinimit të tyre menjëherë. Për këtë qëllim, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive, epidemiologët në terren kryejnë një hetim epidemiologjik të çdo rasti individual të kollës së mirë, kontrollojnë kontaktet e tyre dhe japin rekomandime për kemoprofilaksinë e tyre”, thonë në përgjigjen me shkrim për PRESSonline nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga atje shtojnë se, Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e partnerëve të OKB-së, vazhdimisht investon në fushata për promovimin e vaksinimit, me qëllim edukimin dhe ndërgjegjësimin e prindërve për rëndësinë e imunizimit në kohë.
“Vitin e kaluar, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it, është realizuar dy herë fushata “Derë më Derë”. Me këto dy fushata të suksesshme, janë vaksinuar më shumë se 5000 fëmijë të vaksinuar apo të planifikuar për takime vaksinimi, ndërsa më shumë se 7000 shtëpi janë vizituar, ku është zhvilluar edukimi dhe janë shpërndarë mbi 13 mijë materiale edukative për vaksinimin rutinë dhe kundër COVID”, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Autoritete shëndetësore thonë se është më e rëndësishme që prindërit të kontrollojnë të dhënat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe nëse nuk janë vaksinuar t’i vaksinojnë, sepse kjo është mbrojtja më e mirë kundër kësaj sëmundjeje.
“Nëse kanë humbur vaksinimin e fëmijëve, vaksinoni për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes. Vaksinimi kundër kollës së mirë kryhet me tre doza (vaksina e kombinuar, polivalente), si vaksinim parësor, në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe. Dhe dy rivaksinime, e para në moshën 18 muajshe dhe e dyta në moshën 7 vjeç (pra në klasën e dytë)”, theksojnë autoritet shëndetësore.
“Vaksinimi i fëmijëve gjithnjë ka qenë mburojë për shëndetin e tyre. Unë jam nënë e tre fëmijëve dhe të gjithë janë të vaksinuar rregullisht”, thotë zonja Luljeta nga lagjja Çair për PRESSonline.al
Ndryshe nga ajo, zonja Arife e cila ka fëmijën e saj të parë druan të vaksinojë fëmijën e saj, për shkak të imunitetit të dobët, edhe pse ajo është e vetëdijshme se vaksinimi i rregullt mbron fëmijët nga infektimi dhe rrit imunitetin shëndetësor.
Dr.Gjylajdin Fetai – specialist pediatër – përgjegjës për vaksinimin prashkollor në Shtëpinë e Shëndetit Publik në Tetovë për PRESSonline.al thotë se vaksinimi është mënyra më e lehtë dhe afatgjate për mbrojtje nga sëmundjet infektive që me dekada kanë pasur vdekshmëri të madhe tek fëmijët.
“Në kohë të sotme shumica prej tyre janë zhdukur. Për fat të keq ende kemi raste spontane të disa sëmundjeve si fruthi dhe pertusis (kolli i keq) që janë aktualizuar ditëve të fundit. Njëra prej shkaqeve është edhe vaksinimi jo i rregullt i fëmijëve për shkaqe të shumta, ndër ta edhe lëvizja anti-vaksinë nga do grupe nëpër rrjete sociale. Vaksinimi në Maqedoninë e Veriut funksionon me vaksina moderne dhe të besueshme dhe rregullore të vaksinimit që çdo vit freskohet me qëllim të përmbajtjes së standardeve më të larta të vaksinimit sipas OBSH. Por rezistenca e prindërve sjell deri tek rrënja e përqindjes së vaksinimit efektiv”, deklaroi për PRESSonline.al, Dr.Gjylajdin Fetai.
Ai thotë se Tetova si një ndër qytetet më të mëdha në Maqedoninë e Veriut mund të krenohet që ka arrit nivelin maksimal të vaksinimit për shumicën e vaksinave, me disa veçanti si MRP dhe HPV vaksina për shkak të rezistencës së prindërve.
Ministria e Shëndetësisë ka përgatit një program të posaçëm të imunizimit në baza vjetore, i cili siguron vazhdimisht mjete për blerjen e vaksinave për vaksinim të vazhdueshëm dhe dozat rezervë të nevojshme të vaksinave dhe imunoglobulinave sipas indikacioneve epidemiologjike.
Sipas marrëveshjeve të lidhura me furnizuesit e vaksinave, programi për këtë vit parasheh 358.000.000,00 denarë, me mundësi për sigurimin e mjeteve shtesë gjatë vitit, sipas nevojave.
Në program, për herë të parë parashikohen fonde për promovimin e “Javës Evropiane të Imunizimit”, duke përfshirë mbajtjen e takimeve të punës me ekipet e pikave të vaksinimit dhe koordinatorët rajonalë të imunizimit me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të punonjësve shëndetësorë për rëndësinë, imunizimi dhe sigurinë e vaksinave dhe përgatitjen e materialit promovues të dedikuar për prindërit.
Me këtë shkrim, PressOnline i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit po zbaton në bashkëpunim me mediat në kuadër të projektit “Përdor faktet”, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike.


