“Stimul ekonomik për integrim më të shpejtë të rajonit në BE, dialog për mosmarrëveshjet politike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, VMRO-DPMNE opozitare të deklarojë alternativën e saj për integrimin e shtetit” – këto ishin mesazhet kryesore sipas ish-ambasadorit Muhamed Halili nga konferenca për Planin për rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor të mbajtur të hënën në Shkup.
“Takimi i liderëve nga Ballkani Perëndimor është në funksion të zhvillimit ekonomik të rajonit në vlerë prej 6 miliardë euro. Stimulimi i zhvillimit ekonomik do të kontribuojë në integrimin më të shpejtë në BE të vendeve të rajonit. Dihet se stagnimi i bashkëpunimit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, si dhe situata në Bosnje, mund të kontribuojë në rritjen e tensioneve në rajon dhe t’i japë Rusisë një mundësi për zgjerojnë tensionet në pjesë të tjera të botës – veçanërisht në Ballkan. Presidenti Biden paralajmëroi se ulja e ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën do të ketë pasoja të rënda në Ballkan”, deklaroi Halili për PRESSonline.al
Mesazhi i Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James O’Brien, nga konferenca, sipas ish-diplomatit Muhammed Halili, ishte që Kosova dhe Serbia të zbatojnë atë që është marrë vesh në Ohër, ndërsa në Maqedoninë e Veriut opozita duhet të paraqesë planin për anëtarësim të vendit në BE, nëse ende konsideron se ndryshimet kushtetuese nuk janë të nevojshme.(PRESSonline.al)


