Kryeministri Dimitar Kovaçevski mendon se për kryeministrin teknik Talat Xhaferi duhet të votojnë edhe partitë që do të propozojnë ministra, duke aluduar në opozitaren VMRO DPMNE. Sipas tij, deri të dielën ka kohë të mjaftueshme për të gjitha procedurat. Opozitarja VMRO DPMNE të mërkurën do të mbajë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ku pritet të bëhen të ditur emrat e kandidatëve të tyre për ministra dhe deputetë. Për momentin që ka mundësi që kandidatët e tyre të mos jenë në listën e qeverisë, koordinatori i grupit parlamentar Nikolla Micevski mendon se ky do të ishte amatorizëm politik dhe diletantizëm, shkruan PRESSonline.al
Së bashku me Kovaçevskin, dorëheqjen të enjten do të jep dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili do të udhëheqë qeverinë teknike. Të premten do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitreski, ndërsa presidenti Pendarovski do ta caktojë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Deri në mesnatën e së dielës duhet të votohet qeveria teknike dhe do të jetë e vlefshme për 100 ditë.
Disa nga ekspertët shprehin keqardhjen që para çdo zhvillimi kemi një situatë të tillë tensionesh dhe dredhish mes aktorëve politikë. Analisti politik dhe drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Pulsi i Demokracisë” Enver Salihi beson se kjo është periudha kur aktorët politikë po komunikojnë në prapaskenë.
Ai nuk beson se dikush do ta vendosë veten mbi ligjet dhe procedurat e parapara dhe beson se kjo qeveri do të zgjidhet brenda afatit të paraparë dhe gjithçka tjetër është vetëm politikë ditore dhe pika të vogla politike të bëra nga aktorët politikë.
“Kjo qeveri ka qenë rezultat i momenteve të vështira dhe mosmarrëveshjeve mes aktorëve politikë në të kaluarën dhe nuk duhet të jetë shembull edhe sot. Është e nevojshme që sa më parë të ndryshohet ky luks në kurriz të shtetit, theksoi Salihi në një bisedë për “Lokalno”, përcjell PRESSonline.al
Sa i përket votës së qeverisë teknike dhe nëse shumica qeverisëse mund të mbledhë 61 deputetë, Salihi thotë se marrëveshja do të arrihet këto ditë dhe deklaratat e bëra si dozë ditore politike do të marrin fund dhe të gjitha situatat e tjera të pazgjidhura si KSHZ dhe paqartësitë tjera do të sqarohet në periudhën e ardhshme deri në shpalljen e zgjedhjeve.


