Telekomi i Kosovës i ka siguruar për dy vjet përmbajtjen televizive të operatorit kabllor nga Shqipëria, DigitAlb. Kontrata mes palëve, e cila do të nënshkruhet sot, është parashikuar të arrijë 1.3 milionë euro.
Telekomi i Kosovës përmes negocimit ka blerë të drejtën e transmetimit të kanaleve të Digitalb në Kosovë për dy vitet e ardhshme e ku vlera e këtij tenderi është 1,3 milionë euro.
Në njoftimin e publikuar në faqen online të prokurimit publik shihet thuhet se kontrata mes kompanisë fituese dhe Telekomit të Kosovës do të nënshkruhet sot me 22 janar.
Telekomi i Kosovës do ta paguajë muaj për muaj operatorin kabllor nga Shqipëria, DigitAlb, për transmetimin e përmbajtjes së saj televizive.
Megjithatë, detyrimet financiare të kontratës nuk janë fikse. Ato varen nga dakordimi me çmimin për njësi për abonent, thuhet në Dosjen e Tenderit për ‘furnizim me kanalet televizive të DigitAlb’.
Ndonëse Telekomi ka paralajmëruar publikimin e ofertave gjatë këtij muaji, ende nuk dihet se sa do të jetë çmimi njësi për abonentët.
Një nen tjetër në kontratë ia ndalon Telekomit që t’i transferojë detyrimet apo të drejtat e parapara me marrëveshje te palët e treta.
Marrëveshja parasheh që kontrata të bëhet efektive me rastin e nënshkrimit nga të dyja palët dhe do të mbetet në fuqi për dy vite vijuese nga kjo datë.
Komisioni i Pavarur i Mediave i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me dy operatorë kabllorë që pretendojnë se kanë marrëveshje për transmetimin e kanaleve DigitAlb në Kosovë.
ISP Broadcast dhe Telekomi i Kosovës, kanë reklamuar se kanë arritur marrëveshje me DigitAlb.
“KPM-ja është njoftuar se dy operatorë të tjerë kanë reklamuar se kanë në pakon e vet kanalet DigitAlb. Këta operatorë janë ISP Broadcast dhe Telekomi i Kosovës dhe lidhur me këtë rast, KPM-ja ka kërkuar nga këta dy operatorë që kontratat që supozojnë se e kanë me DigitAlb ta dorëzojnë te KPM-ja dhe ne si KPM jemi në pritje të dorëzimit të kontratave nga ana e këtyre dy operatorëve dhe këtë me qëllim po e përmendi që qytetarët të mos bien në lajthitje”.
Komisioni i Pavarur i Mediave iu ka shqiptuar gjoba katër shpërndarësve të rrjetit kabllor në Kosovë, në vlerë 100 mijë euro.
Sipas vendimit të marrë sot nga Bordi i KPM-së, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro. Nga fillimi i janarit e deri më tani, në KPM ishin deponuar mbi 300 ankesa nga klientët e këtyre operatorëve për largim pa paralajmërim të kanaleve të DigitAlb-it nga transmetimi.
Klientët e kabllorëve në fjalë ankoheshin po ashtu edhe për pamundësinë e shkëputjes së kontratave para kohe nga kabllorët, edhe pse ndryshimet në platformë ishin bërë pa paralajmërim. Nga totali i numrit të ankesave të adresuara në KPM, 221 ishin ndaj Artmotion, 87 kundër Kujtesës, 23 për IPKO-n dhe 9 ankesa për Telkosin. /Fatos Shala


