Emerging Europe publikoi raportin Future of IT 2023 duke dhënë një panoramë rajonale të sektorit të teknologjisë dhe informacionit në rajon, talentin e disponueshëm, infrastrukturën IT, impaktin ekonomik dhe ambientin e biznesit si dhe hapësirën për rritje potenciale. Sipas botimit të vitit 2023, raporti përfshin edhe Shqipërinë e Kosovë ku analizon disa prej indikatorëve që tregojnë zhvillimin dhe impaktin e kësaj industrie në ekonomi.
Rumania dhe Kosova ishin vendet me infrastrukturën më të mirë e cila matet përmes tre indikatorëve: Konektiviteti, Transformimi Dixhital dhe Burimet jo-personel.
Kosova shënoi 12.98 pikë në tërësi ose 5.79 pikë në konektivitet, 5.24 pikë në transformim dixhital dhe 1.95 pikë në burimet jo-personel. Shqipëria shënoi 9.62 pikë në tërësi ose 4.76 pikë në konektivitet, 4.54 pikë në transformim dixhital dhe 0.32 pikë në jo-personel.
Por sa i rëndësishëm është ky sektor për ekonominë dhe çfarë impakti ka? Kosova renditet e dyta në rajon pas Malit të Zi për nga impakti që sektori IT ka në ekonomi duke shënuar 11.73 pikë. Impakti ekonomik matet për tre indikatorëve: performanca ekonomike, konkurrueshmëria në kosto dhe rezistenca ndaj Covid.

Ambientet më favorizuese për bizneset ICT në rajon janë në Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë dhe Kosovën që ngelen pas në këtë drejtim. Emerging Europe arriti në këtë përfundim duke matur pronësinë intelektuale dhe sigurinë kibernetike, mbështetjen për zhvillimin e industrisë dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Mali i Zi mori një vlerësim prej 11.91 pikësh ku rezultatet më të larta i arriti në treguesin e mbështetje për industrinë, ndjekur nga Serbia me 11.44 pikë e cila gjithashtu performoi mjaft mirë në të njëjtën kategori. E njëjta vlen edhe për Maqedoninë e Veriut e cila u vlerësua në tërësi me 10.83 pikë nga kjo kategori.
Shqipëria dhe Kosova u vlerësuan me 9.77 pikë dhe 7.54 pikë respektivisht. Edhe pse Shqipëria mori vlerësim pozitiv sipas indikatorit të mbështetjes së industrisë, ra pas në dy indikatorët e tjerë. Sakaq Kosova performoi poshtë mesatares që vendeve të rajonit duke lënë pas vetëm Bosnje & Hercegovinën.
Fuqia e sistemit arsimor përkthehet në konkurrueshmëri talenti dhe Kosova ishte vendi i parë në rajon në këtë kategori duke lënë pas Serbinë. U vlerësua me 20.30 pikë në tërësi ku edukimi ishte pika më e fortë duke marrë 12.56 pikë, më e larta se asnjë vend tjetër në këtë studim. Talenti vlerësohet nga Emerging Europe edhe përmes indikatorëve të fuqisë punëtore dhe konkurrueshmërisë ku Kosova mori 4.18 pikë dhe 3.56 pikë.
Shqipëria u vlerësua në total me 11.93 pikë duke u renditur pas Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës por lënë pas Malin e Zi.
Raporti Future of IT renditi Kosovën në vendin e 11-të me 52.5 pikë, vendi i parë në rajon duke lënë pas Serbinë në vendin e 14-të, Maqedoninë e Veriut në vendin e 15-të, Malin e Zi në vendin e 20, Shqipërinë në vendin e 21 dhe Bosnje Hercegovinën në vendin e fundit.
Kosova kishte 717 studentë për 100 mijë banorë në fushën e shkencave kompjuterike dhe vendi i dytë në listë ishte Maqedonia e Veriut me 378 studentë për 100 mijë banore. Shqipëria kishte 299 studentë.
Shqipëria
Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në ofrimin e shërbimeve publike, zhvillimin e infrastrukturave dixhital dhe krijimin e një baze ligjore të fortë falë qasje strategjike të autoriteteve shtetërore.
Sfidat më të mëdha me të cilat përballet vendi sipas raportit Future of IT janë mungesa e investimeve të nevojshme, e konektivitetit në zonat rurale dhe pjesëmarrja e ulët e femrave sipërmarrëse në startupe.
Sektori IT i Shqipërisë është rritur në 97 milionë euro eksporte në 2021, një rritje me 35 përqind krahasuar me një vit më parë. Numri i të punësuarve në këtë sektor është rritur në 16195 në 2021, nga 15587 një vit më parë.
Në 2021 vendet e punës në ICT përbënin vetëm 1.3 përqind ndërsa eksportet ICT përbënin 0.63 përqind të GDP-së. Edukimi në këtë fushë është rritur gjithashtu nga 1787 të diplomuar në 2020-ën në 1830 në 2021.
Shqipëria rënditet e 8 në Evropë dhe 19-ta në botë sa i takon dixhitalizimit të shërbimeve publike sipas raportit të Zhvillimit Dixhital të Kombeve të Bashkuara.
Renditej e 75 në botë në skenën e startupeve sipas Indeksit të Ekosistemit Global të Startupeve (GSEI) ndërsa ekosistemi i startupeve të Tiranës renditej i 462 në mesin e 1000 qyteteve.
Afro 62.1 përqind epopullsisë ka akses në internet celular dhe 72 përqind ka akses në internet ku shpejtësia mesatare është 43.52 Mbps dhe kostoja 16.64 euro. Në indeksin Global të Sigurisë Kibernetike Shqipëria ishte e 18-ta.
Kosova
Kosova po përjeton një boom të teknologjisë dhe informacionit thotë raporti i Emerging Europe. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka cilësuar si një prej 5 sektorëve ekonomikë me prioritetin më të lartë dhe nuk përbën aspak çudi duke qenë se vendi ka një komunitet të gjerë ekspertësh dhe kompanish ICT.
Në 2021 pagat mesatare në këtë sektor ishin 757 euro, 697 euro më shumë. Përqindja e eksporteve ICT krahasuar me GDP është rritur ndjeshëm në 1.24 përqind në 2021 nga 0.97 përqind në 2015-ën.
Megjithatë ekosistemi ICT në Kosovë është ende i ri. Sipas StartupBlink, Kosova rënditet e 24-ta në Evropën Lindore dhe aktualisht numëron 90 startupe aktive citon raporti.
Shërbimet publike po ofrohen online dhe aktualisht mbi 30 prej tyre janë dixhitalizuar plotësisht. Për të shtuar aksesin në shërbime dixhitale, qeveria ka adoptuar programin e inovacionit quajtur GOV4SAA.
Në Indeksin e Konkurrueshmërisë ICT Kosova renditej e 11-ta nga 23 vendet e raportit. Mbetet vendi me numrin më të lartë të studentëve IT në rajon. Kostoja e të dhënave është relativisht e ulët prej 11.93 euro ndërsa qytetarët kanë akses në internet me shpejtësi mesatare 55.28Mbps.
Eksportet e shërbimeve ICT u rritën nga 71.7 milionë euro në 2020-ën në 98.8 milionë euro në 2021.
/PCWorld Albanian







