Ekipi i ekspertëve të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i udhëhequr nga ministrja Kaja Shukova, priti sot përfaqësuesit e Sekretariatit të Konventës së Bernës në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore të cilët janë me mision në vendin tonë lidhur me Dosjen e hapur për Republikën e Maqedonisë së Veriut: Ndikimet e supozuara negative rreth liqenit të Ohrit dhe parkut kombëtar Galiçica – kandidatë për zonat Emerald, për shkak të zhvillimit të infrastrukturës, informon PRESSonline.al
Me këtë rast, ministrja Shukova ka prezantuar aktivitetet e Ministrisë dhe progresin në sektorin e natyrës, si dhe aktivitetet e ndërmarra në përputhje me vërejtjet e Sekretariatit të Konventës së Bernës.
“Dëshiroj të theksoj se këtë mision të përfaqësuesve të Konventës së Bernës, Ramsarit dhe UNESKO-s e shohim si një mundësi për përfaqësuesit e institucioneve të jashtme neutrale, bazuar në pikëpamjet e palëve të ndryshme, si dhe vizitat në terren për të dhënë një vlerësim real dhe të pavarur të gjendjes së trashëgimisë natyrore të liqenit të Ohrit dhe parkut kombëtar Galiçica – kandidatë për zonat Emerald. Ne presim që vlerësimi të pasqyrojë rekomandimet e zbatueshme të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës në lidhje me përcaktimin e habitateve dhe specieve të egra që mund të preken nga aktivitetet antropogjene, si dhe një rekomandim për masa dhe aktivitete për të reduktuar këto ndikime sipas gjendjes ekzistuese”, theksoi Shukova.
Misioni i udhëhequr nga sekretari ekzekutiv i Konventës së Bernës, Mikael Poutiers vazhdon nesër dhe pasnesër me një vizitë në PK “Galiçica”, komunat e Ohrit dhe Strugës, si dhe një vizitë në terren në Kënetën e Studençicës, zona afër Shën Naumit dhe brigjet e Ohrit dhe Strugës.