1. Lajme
  2. RAJONI
  3. KQZ rrëzon kërkesën e Partisë së Lirisë: Kryetar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është Ilir Meta

KQZ rrëzon kërkesën e Partisë së Lirisë: Kryetar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është Ilir Meta

featured

Partia e Lirisë u tregua bujare me Sali Berishën, duke i dhënë postin drejtues të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletët e votimit, por kërkesa u rrëzua nga KQZ.

Në shkresën dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thuhej se kryetari i koalicionit është Sali Berisha. Por, pas shqyrtimit në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, kërkesa e PL-së nuk u pranua dhe si drejtues i koalicionit u njoh Ilir Meta.

Pasi humbi të drejtën për të përdorur logon e partisë Demokratike, Berisha vendosi që të hyjë në zgjedhje, duke krijuar koalicion me Partinë e Lirisë, të drejtuar nga Ilir Meta. Por, emri i këtij të fundit nuk është në fletën e votimit për këshillat bashkiakë, si drejtues i partisë.

Partia Demokratike, e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin e Ilirjan Celibashit, për të lënë bosh vendin ku duhet të ishte drejtuesi i këtij koalicioni në fletën e votimit për zgjedhjet lokale. Këtë pasdite, teksa po shqyrtohej ankimimi në mbledhjen e Komisionit e Ankimimeve dhe Sanksioneve, në KQZ mbërriti shkresa e PL-së, që thoshte se drejtuesi i koalicionit është Berisha. Shkresa, me vulë ende të njomë, mbante firmën e përfaqësuesit ligjor të koalicionit, Endrit Braimllari.

Pas shqyrtimit, KAS rrëzoi kërkesën e PL dhe pranoi pjesërisht kërkesën e PD-së, pasi si drejtues të koalicionit, njeh kryetarin e partisë që udhëheq këtë koalicion, Ilir Metën.


Top Channel

KQZ rrëzon kërkesën e Partisë së Lirisë: Kryetar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është Ilir Meta
|