Është e qartë se tani ekziston një mundësi e madhe dhe unike përsa i përket zgjerimit. Ju keni bërë përparim të madh në rrugën drejt BE-së dhe tani është e rëndësishme të ndërmerren hapat e ardhshëm të dakorduar, përfshirë ndryshimet kushtetuese. Korniza e negociatave mbështetet nga të 27 vendet anëtare, nuk ka kushte të reja, dinamika e reformave do ta përcaktojë shpejtësinë e procesit të anëtarësimit.
Kështu porositi në një bisedë për MIA-n, Ana Lirman, ministre për Evropën e Republikës Federale të Gjermanisë, në të cilën ka marrë pjesë edhe Lorens Bun, sekretare e shtetit përgjegjëse për Evropën në kuadër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Francës dhe Shimon Shinkovski vel Senk, Ministër i BE-së i Republikës së Polonisë. Kjo e ashtuquajtura Treshja e Vajmarit e vizitoi vendin këtë javë në një mision diplomatik për të përcjellë mesazh të qartë nga Berlini, Parisi dhe Varshava se rruga e vendit drejt integrimit evropian është përmes miratimit të amendamenteve kushtetuese. Ky është i njëjti mesazh që në emër të kreut të diplomacisë evropiane, Zhosep Borrell, javën e kaluar në Shkup e përcolli treshja ministrore nga tre shtete të tjera anëtare të Unionit dhe miq të dëshmuar të vendit – Austria, Çekia dhe Sllovakia.
“Është e qartë se tani ekziston një mundësi e madhe në drejtim të zgjerimit. Pas sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës, i gjithë procesi i zgjerimit mori një vrull të ri. Ukraina dhe Moldavia tani e kanë statusin e kandidatit, verën e kaluar i filluam negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërsa procesi i skriningut teknik do të përfundojë deri në fund të vitit. Kështu, ekziston një mundësi unike për t’i vazhduar negociatat për klasterët e parë në fund të këtij viti. Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të madh në rrugën drejt BE-së, shumë reforma përmes të cilave ne shohim përkushtimin ndaj BE-së, kështu që tani është e rëndësishme që të ndërmerren hapat e ardhshëm të dakorduar – përfshirë ndryshimet kushtetuese – në mënyrë që të përfitojë nga kjo mundësi që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e familjes evropiane. Ne të tre jemi këtu për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut në këtë rrugë”, thotë Lirman, e pyetur se çfarë nëse nuk kalohen ndryshimet kushtetuese, duke e pasur parasysh qëndrimin e opozitës dhe nëse kjo do të nënkuptonte izolim për vendin, ndoshta bllokim të fondeve dhe projekteve të IPA-s për Ballkanin Perëndimor.





