Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe pritja e tyre nga administrata osmane

featured
Press Online
05 Prill 2026, 23:44

Nga: Agron Islami

Si rrjedhojë e Luftës Ruso-Osmane 1877-1878 dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit, Vilajeti i Kosovës humbi një pjesë të territoreve verilindore, respektivisht Sanxhakun e Nishit me kazatë e Prokupjes, Kurshumlisë, Leskocit dhe Nishit me një popullsi të përgjithshme prej 165 000 banorësh, nga të cilët, sipas të dhënave zyrtare osmane të vitit 1877, rreth 70 000 banorë – apo 41.01 përqind – ishin shqiptarë të besimit islam (po ashtu edhe Sanxhaku i Pirotit i cili kishte rreth 12 000 banorë shqiptarë myslimanë, iu aneksua Serbisë). Njëherësh, në kuadër të këtyre marrëveshjeve, Vilajetit të Kosovës iu aneksua edhe sanxhaku i Vranjës i cili kishte rreth 25 000 banorë shqiptarë.

Humbjet e njëpasnjëshme të ushtrisë osmane në shekullin XIX, u përcollën me tkurrjen territoriale më të madhe të perandorisë, e cila kishte sunduar plot 500 vjet me Ballkanin e sotëm (Rumelinë). Ajo tanimë nuk kishte forcë t’i mbronte territoret e veta, e as të kundërshtonte vendimet që merreshin në tavolinat diplomatike. Pasojat e këtij realiteti të Perandorisë shkuan në drejtim të myslimanëve shqiptarë, boshnjakë dhe turq, të cilët për herë të parë po përballeshin me presionin e lëshimit të trojeve të veta dhe tanimë sulltani nuk kishte fuqi që t’i mbronte – as nënshtetasit e tij, e lëre më trojet e tyre. Karshi kësaj gjendjeje, sulltan Abdylhamiti i Dytë themeloi komisionin e veçantë (idare-i Umumiyye-i Muhacirin Komisyonu), i cili me ekipet e tij – të cilat ishin aktive në çdo qytet të Vilajetit të Kosovës – kishin përgjegjësinë për pritjen dhe sistemimin e të shpërngulurve nëpër pikat e përcaktuara më herët. Njëherësh, komisionet në fjalë përgatisnin edhe dokumentacionin e nevojshëm për muhaxhirët që do të udhëtonin drejtë kryeqendrës osmane.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter