Një tjetër incident në gjykata: Avokati dhunon rojën e sigurisë në Vlorë

featured
Press Online
11 Tetor 2025, 03:13

Një punonjës sigurie në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë është dhunuar të premten nga një avokat në hyrje të gjykatës.

Ngjarja ndodhi në zonën ku kalojnë personat përmes detektorëve të metaleve.

Avokati Redi Llanaj ka kërkuar të hyjë në gjykatë, duke thënë se ishte thirrur për një çështje.

Roja nuk e lejoi të hynte, pasi nuk kishte informacion zyrtar mbi thirrjen e tij.

Debati verbal shpejt degjeneroi në dhunë fizike, ku avokati goditi me grusht punonjësin e sigurisë, F. M., 60 vjeç, i cili pësoi dëmtime në fytyrë.

Menjëherë pas incidentit, Llanaj u shoqërua nga autoritetet dhe më pas iu komunikua arresti.

Ai akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”, ndërsa materialet iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ky incident vjen pak ditë pas vrasjes së paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Apelit të Tiranës më 6 tetor.

Paraditen e të premtes u regjistrua gjithashtu një kërcënim ndaj një roje sigurie në të njëjtën gjykatë.

Në reagimin e saj, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë distancohet nga kjo ngjarje dhe e cilëson atë të padenjë për figurën e avokatit.

“Dhoma i bën thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë incidentin dhe të zbardhin përgjegjësitë”, thuhet në deklaratën e saj.

Dhoma gjithashtu shpreh keqardhje që ngjarja ndodhi në ditën e bojkotit të vendosur nga DHASH-i.

Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet përkatëse, ka nisur një rishikim të plotë të masave të sigurisë në gjykata.

Ky rishikim përfshin përforcimin e sigurisë fizike brenda dhe përreth ambienteve të gjykatave, si dhe ngritjen e një sistemi të integruar monitorimi inteligjent për të parandaluar dhe neutralizuar çdo akt dhune, sipas ministres Albana Koçiu.

“Së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe në koordinim me institucionet e drejtesisë, do të rishikojmë masat e sigurisë në gjykata, e jo vetëm. Në përfundim, do të hartojmë një paketë të plotë duke përfshirë rishikimin e protokolleve të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe institucioneve të drejtësisë; Forcimin e sigurisë fizike brenda dhe përreth ambienteve të gjykatave; si dhe një sistem të integruar monitorimi inteligjent për të parandaluar e neutralizuar çdo akt dhune”.

Zyrtarja garantoi se Garda e Republikës dhe strukturat e Policisë së Shtetit do të vazhdojnë të mbrojnë magjistratët, duke përfshirë mbrojtjen e tyre personale, të familjes dhe të pasurisë, kur këto rrezikohen gjatë ushtrimit të detyrës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter