“Mos hesht! Mos tolero! Vepro! Ka ndihmë! Ka shpresë! Ka jetë pa dhunë”, alarmon Fatmir Limani, ministër për politikë sociale, demografi dhe të rinj. Statistikat kanë ndezur alarmin e kuq – autoritetet janë më të zëshme në parandalimin e dhunës në familje. Brenda një viti, numri është rritur për 14,7 për qind, ndërsa nga fillimi i vitit deri në mars janë regjistruar 391 viktima, informon PressOnline.al
Shumica e dhunuesve kanë qenë meshkuj – 266, ndërsa mes dhunuesve ka pasur edhe 20 gra.
Dhuna psikologjike është forma më e shpeshtë, por viktimat kanë qenë të ekspozuara edhe ndaj dhunës fizike, seksuale dhe ekonomike.
Autoritetet apelojnë për masa më të mëdha parandaluese dhe përmirësim të mbrojtjes institucionale.
“U bëj apel institucioneve: mos e shihni gruan viktimë si një dosje në një sirtar. Ajo nuk kërkon vetëm një letër, ajo kërkon shpresë. Ajo vjen tek ne sepse beson se do të ndihmohet, se do të shpëtojë nga makthi që po përjeton. Ligji është vërtet themel, por ndjeshmëria njerëzore shpëton jetë”, thotë ministri Fatmir Limani.
Dhuna ndaj grave nuk është vetëm një tragjedi personale, por edhe një dështim shoqëror – janë mesazhet e fuqishme edhe nga ekspertët e huaj.
“Kjo lloj dhune është një nga sfidat më të mëdha në fushën e të drejtave të njeriut. Duhet të bashkohemi të gjithë kundër saj. Kjo kërkon një përgjigje të koordinuar, të dhembshur dhe të guximshme”, deklaron Daniel Filer, zëvendës ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoni.
“Çdo grua duhet të mos e durojë dhunën, të kërkojë ndihmë”, thotë Zhaklina Geştakovska Aleksovska nga UNFPA.
Rasti i fundit i një babai që ka lënduar vajzën e tij 4-vjeçare ka shqetësuar opinionin publik. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tij, ndërsa është ndjekur penalisht edhe një 54-vjeçar nga Shkupi, i cili në gjendje të dehur ka sulmuar gruan e tij duke e goditur me çadër në kokë në banesën e tyre. Për veprën penale të shkaktimit të lëndimeve trupore, Kodi Penal parasheh dënim me burg nga gjashtë muaj deri në tre vjet.(PressOnline.al)



