Nga 7 tetor 2025, bankat shqiptare do të ofrojnë pagesa ndërkufitare në euro brenda zonës SEPA për klientët e tyre.
Kështu deklaroi, Valentina Semi, zëvendësdrejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave dhe Kontabilitetit të Financës në Bankën e Shqipërisë, në një intervistë televizive, ndërsa vuri në dukje përfitimet nga anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA.
Sipas saj, ky anëtarësim shënon një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për integrimin financiar evropian, por edhe për ekonominë shqiptare, pa qenë ende anëtare e BE.
“Përfitimet nga SEPA janë të shumta. Ulja e kostove për transfertat në euro do të jenë minimalisht 5 herë më të lira për qytetarët dhe bizneset. Pagesa janë më të shpejta dhe produktet e shërbimet moderne janë më të sigurta”, tha ajo.
Semi vuri në dukje se, ky hap do të rrisë konkurrencën në tregun financiar.
Duke u ndalur në përfitimet në nivel kombëtar, ajo tha se, pagesat në SEPA, reduktojnë përdorimin e parasë fizike; nxisin përfshirjen financiare dhe zhvillimin e teknologjisë financiare (FinTech) dhe zgjerojnë ofertën e shërbimeve të pagesave.
Semi deklaroi se, “në nivel ndërkufitar SEPA, nxit ndërveprimin tregtar dhe flukset monetare me BE dhe bizneset shqiptare fitojnë qasje në një treg prej 450 milionë banorësh, me më shumë mundësi për zgjerim; rritje të konkurrencës dhe përfitim nga risitë inovative”.



