Me shuma nga 600 deri në 800 euro për pagën minimale dhe mbi 1000 euro për pagën mesatare, si dhe me premtime për vende të reja pune dhe ekonomi konkurruese, partitë politike marrin pjesë në fushatën zgjedhore. Nga ana tjetër sindikatat po protestojnë dhe presin një hap konkret brenda njëqind ditëve të para të qeverisjes së re, shkruan PRESSonline.al
Një sërë premtimesh me shuma specifike për paga më të larta dhe një jetë më të mirë ofrojnë partitë politike në kulmin e fushatës zgjedhore. Nga ana tjetër, punëtorët thonë se për shkak të kostos së rritur të jetesës dhe të ardhurave të ulëta, janë nën presion të shtuar për ekzistencën e tyre dhe po kërkojnë hapa konkretë për të pasur një jetë dinjitoze pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.
Në vend që politikanët të bëjnë premtime, Sindikata e Maqedonisë (LSM) pret hapa urgjent brenda njëqind ditëve të para të qeverisjes së ardhshme.
“Ne besojmë se një pagë minimale prej 450 euro në njëqind ditët e para të qeverisë është një realitet, për të parandaluar që fuqia jonë punëtore të emigrojë në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, pa përmendur Kroacinë dhe Slloveninë, ku pagat minimale janë shumë më të larta. ”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL), kryetari I LSM-së, Sllobodan Trendafillov, përcjell PRESSonline.al
Me rregullimin e fundit, nga marsi i këtij viti paga minimale është 22.500 denarë. Paga mesatare, nga ana tjetër, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës (ESSH) për muajin shkurt është 39.276 denarë. Nga ana tjetër, llogaritjet e LSM-së për shportën e konsumit minimal tregojnë se një familje me katër anëtarë i nevojiten 60.212 denarë në muaj.
Përmirësimi i këtij standardi jetese me rritjen e pagës minimale dhe mesatare është pjesë e të gjitha programeve zgjedhore të pjesëmarrësve në zgjedhjet e ardhshme.
Ankande në programe partiake
Si parti aktuale në pushtet, LSDM, duke u mburrur se e kanë përmbushur dhe tejkaluar premtimin nga zgjedhjet e fundit për 500 euro pagë mesatare, punëtorëve u premton se në fund të mandatit të ardhshëm potencial paga mesatare do të jetë 1100 euro. Për pagën minimale, socialdemokratët angazhohen që ajo të arrijë në 600 euro. Shuma të tilla, siç thuhet në program, besojnë se do të rriten për 200 euro secila kur Maqedonia e Veriut të hyjë në BE.
Në paraqitjet e tij parazgjedhore, ish-ministri i Shëndetësisë dhe bartësi i listës së LSDM në njësinë e katërt zgjedhore, Venko Filipçe, foli konkretisht për punëtorët në shëndetësi, duke premtuar se pagat për mjekët specialistë do të arrijnë 180.000 denarë, 120.000 për mjekët e përgjithshëm dhe 90.000 denarë për motrat medicinale.
Edhe partneri i koalicionit në Qeverinë e Socialdemokratëve, BDI, po oferton me shuma specifike – 900 deri në 1000 euro paga mesatare në vitin 2028.
Kundër tyre, koalicioni opozitar shqiptar VLEN në performancën e tij ambicioze në ditën e parë të fushatës premtoi një minimale prej 800 eurosh.
VMRO-DPMNE, në anën tjetër, premton ekonomi konkurruese dhe rritje ekonomike, e me këtë edhe rritje të vazhdueshme të pagave.
Me përllogaritje specifike po performon edhe Levica, e cila në program thotë “rritje e pagës minimale në dy të tretat e shportës së konsumit sindikal”.
“Ekonomi konkurruese dhe e qëndrueshme” premton edhe partia ZNAM, e cila veçon mësuesit dhe pedagogët për sa i përket pagave, duke premtuar rritje 100 për qind, 20 për qind për mjekët dhe 50 për qind për infermierët dhe personelin tjetër shëndetësor.
Sindikatat, nga ana tjetër, paralajmërojnë se premtimet për pagë mesatare nuk do të thonë asgjë dhe rritjet duhet të mbulojnë të gjithë.
Më lejoni t’ju kujtoj premtimet për rritjen e pagave – mesataren dhe minimalen, që të jenë rritje për të gjitha pagat e tjera të punëtorëve në shtet, e jo vetëm për një kategori të punëtorëve, thotë Trendafillov nga LSM.
Një javë më e shkurtër pune dhe ulje e papunësisë
Në programet politike, përveç premtimeve për paga, partitë premtojnë për punëtorët dhe një sërë përfitimesh të tjera. Mes tyre është edhe shkurtimi i orarit të punës. LSDM njofton se nga viti 2026 do të fillojë projektin për zvogëlimin e orarit të punës nga tetë në shtatë orë në ditë (nga 40 në 35 orë në javë). Të njëjtin premtim e bën edhe Levica, e cila parasheh gjashtë orë pune në ditë (30 në javë), si dhe dalje në pension në moshën 60 vjeçare (për femra) ose 62 vjeçare (për meshkuj).
Ulja e papunësisë, si angazhim mund të lexohet në të gjitha programet. Kështu, për shembull, VMRO-DPMNE premton ta ulë atë në një normë prej 7.5 për qind duke krijuar 55 mijë vende pune. LSDM dhe BDI, nga ana tjetër, besojnë se do të mund të arrijnë shtatë për qind.
Ulja e inflacionit, mbështetja e bizneseve, zhvillimi i zonave ekonomike, përfitimet për kontributet janë gjithashtu në serinë e premtimeve të palëve.
Nga ana tjetër sindikatat kanë një listë kërkesash. Krahas rritjes së pagës minimale në 450 euro në njëqind ditët e para, LSM njofton se kërkon krijimin e një “zgjidhje sistematike dhe sigurimin e rritjes së vazhdueshme të pagave si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik në bazë të nevojave ekzistenciale”. Punëtorëve t’u paguhen shpenzimet e ushqimit në masën 20 për qind të pagës mesatare, si dhe shpenzimet e transportit, puna me afat të caktuar duhet të kufizohet maksimumi një vit, e drejta për të shtunë jo pune, java e punës të jetë 35 orë, të rritet mundësia e pushimit për shtatëzani, etj.
Ndryshe nga premtimet dhe dëshirat nga njëra anë, me vlerësime për gjendjen ekonomike në vend në periudhën e kaluar dolën edhe institucionet ndërkombëtare. Në raportin e fundit, Banka Botërore vuri në dukje se pagat në Maqedoninë e Veriut po rriten më shpejt se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Nga aty, ata theksuan se pagat nuk janë në përputhje me produktivitetin, dhe kjo, nga ana tjetër, është diçka që mund ta mbajë inflacionin në nivele të larta këtë vit.
“Ajo që pamë në Maqedoninë e Veriut është se presionet inflacioniste po zvogëlohen, reagimi i politikës ishte mjaft adekuat, por ajo që ne e shohim si rrezik është rritja e pagave, të cilat nuk janë në përputhje me produktivitetin. Kjo është diçka që mund ta mbajë inflacionin në një nivel të ngritur në vitin 2024. Projeksionet tona tregojnë se është inflacioni ai që po i afrohet objektivave historike, por ai është rritur”, tha Sanja Maxhareviq-Shujster, ekonomiste e lartë në Bankën Botërore gjatë prezantimit të Raportit të rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor më 11 prill, përcjell PRESSonline.al
Duke komentuar situatën, analisti ekonomik vendas Pavle Gacov paralajmëroi gjithashtu në një deklaratë për REV se shteti do të duhet të marrë hua.
“Ne do të duhet të marrim hua brenda ose jashtë vendit për të mbuluar atë që shpenzojmë më shumë. Një pjesë e konsiderueshme e rritjes së pagave në vend gjenerohet nga rritja në sektorin publik, ku keni një rritje prej 25 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që do të thotë shpenzime më të larta që fatkeqësisht nuk pasohen me të ardhura më të larta, të cilat rriten me vetëm 4 për qind në buxhet. Efekti është një deficit në rritje dhe përfundimisht një rritje e borxhit”, tha Gacov.
Këtë muaj edhe agjencia për rejtingun e kredisë Fitch, nga ana tjetër, paralajmëroi se rritja e shpejtë e pagave mund të jetë një rrezik për inflacionin në vend.(PRESSonline.al)







