Këto janë vendet më të rrezikshme për të jetuar në vitin 2026

featured

Middlesbrough është shpallur qyteti më i rrezikshëm për të jetuar në Angli dhe Uells, duke ia marrë këtë “titull” qytetit bregdetar të njohur Blackpool, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Home Office dhe të analizuara nga Mirror.

Statistikat tregojnë se Middlesbrough ka regjistruar normën më të lartë të kriminalitetit në vend, duke përjashtuar zonat qendrore të Londrës dhe City of Westminster. Gjatë 12 muajve deri në mars 2026, në këtë qytet janë regjistruar 23.419 vepra penale, ose 150 krime për çdo 1.000 banorë.

Blackpool, i cili mbante vendin e parë deri në fund të vitit 2025, ka shënuar një ulje të kriminalitetit me 4%, duke zbritur në vendin e dytë me 146 krime për 1.000 banorë. Në të kundërt, në Middlesbrough kriminaliteti është rritur me 1%, duke e çuar në krye të listës.

Qytetet me normën më të lartë të kriminalitetit

Sipas të dhënave për periudhën 12-mujore deri në mars 2026, pesë zonat me normën më të lartë të krimit janë:

Middlesbrough – 150 krime për 1.000 banorë;

Blackpool – 146;

Manchester – 143;

Hartlepool – 134;

Bristol – 131.

Edhe pse qytetet e mëdha si Birmingham, Leeds dhe Manchester regjistrojnë numrin më të madh të veprave penale për shkak të popullsisë së lartë, ekspertët theksojnë se norma e krimit për 1.000 banorë është treguesi më i drejtë për të krahasuar nivelin e sigurisë mes zonave të ndryshme.

Rritje e disa krimeve serioze

Shifrat më të fundit të Home Office tregojnë se, megjithëse kriminaliteti në përgjithësi ka vijuar trendin rënës të dekadës së fundit, disa kategori të veprave penale kanë shënuar rritje.

Krahasuar me një vit më parë, janë regjistruar:

4% më shumë vepra penale seksuale;

4% më shumë raste përndjekjeje dhe ngacmimi;

10% më shumë grabitje;

12% më shumë krime të lidhura me drogën;

8% më shumë raste të posedimit të armëve.

Në total, gjatë vitit që përfundoi në mars 2026, në Angli dhe Uells u regjistruan mbi 5 milionë vepra penale (duke përjashtuar mashtrimet), që përfaqëson një ulje prej 1% krahasuar me 12 muajt e mëparshëm.

Zona më e sigurt

Ndërkohë, Broadland, në Norfolk, ka ruajtur statusin e zonës më të sigurt në Angli dhe Uells, me vetëm 35 krime për çdo 1.000 banorë, normën më të ulët të kriminalitetit në vend.