Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot zhvilloi takim me Nicole Varns, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u konfirmua bashkëpunimi i fortë dhe i vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe SHBA-së si partner strategjik në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
“Në takim u diskutua për prioritetet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë te reformat në drejtësi, sundimi i ligjit, digjitalizimi i sistemit gjyqësor, agjenda legjislative dhe lufta kundër korrupsionit. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kërkoi që në periudhën e ardhshme të mundësohet shkëmbimi i përvojave dhe ofrimi i ndihmës ekspertësh nga SHBA-ja në fushën e legjislacionit penal.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ofron Ministrisë së Drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend, duke theksuar se ajo luan një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, si dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe reforma e legjislacionit penal, e cila mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë drejtim, u theksua se ka filluar zbatimi i projektit “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Departamentit Amerikan të Shtetit”, thuhet në njoftim.



