Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke bërë thirrje për intensifikim të përpjekjeve mes partive politike për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit, raporton KosovaPress.
Ajo tha se ka qenë e gatshme të lirojë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës konsensus, vetëm që të ketë zgjidhje për presidentin.
“Mendoj që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë e kam shpjeguar disa herë që kemi shumë punë para vetes, shumë reforma që duhet të shtyhen përpara, një agjendë legjislative ambicioze e Qeverisë së Republikës së Kosovës që përmban diku 170 projektligje, secili projektligj më i rëndësishëm se tjetri, por edhe për shumë aspekte të tjera, jo vetëm pra ato të brendshme, por edhe të jashtme. Në këtë drejtim, unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha grupet parlamentare të bënë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’i jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit. Ka qenë shumë e rëndësishme që të dëshmohet vullnet, gatishmëri, seriozitet, përkushtim maksimal që ta tejkalojmë këtë sfidë që e kemi para vetes”, tha Haxhiu.
Haxhiu theksoi se është e nevojshme që partitë parlamentare të vazhdojnë takimet dhe të tregojnë vullnet për kompromis, duke kritikuar qëndrimet e fundit të partive opozitare.
Ajo paralajmëroi se situata aktuale i ngjan asaj të vitit të kaluar, kur institucionet u përballën me bllokada të gjata, ndërsa theksoi se qytetarët tashmë kanë dhënë mesazhin e tyre përmes zgjedhjeve.
Në përpjekje për të shmangur zgjedhjet, Haxhiu bëri të ditur se ka qenë e gatshme të heqë dorë edhe nga posti i kryetares së Kuvendit.
“Unë kam ofruar edhe pozitën e kryetares së Kuvendit, sepse çka më duhet pozita e kryetares së Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që kryeministri Kurti i ka bëre në drejtim të partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj, që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Se a do të jem në listën e kandidatëve për deputetë, për këtë vendos kryesia e Vetëvendosjes, por që ligjërisht nuk është e ndaluar”, tha ajo.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Haxhiu tha se nuk i frikësohet procesit zgjedhor, por theksoi se ato nuk janë në interes të qytetarëve në këtë moment.
Në lidhje me negociatat për postin e kryetares së Kuvendit, Haxhiu tha se është e koordinuar me lidershipin e saj dhe se çdo lëvizje që ndihmon në shmangien e zgjedhjeve është e mirëseardhur.
Në fund, ajo ritheksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe takimeve mes partive, duke nënvizuar se mungesa e vullnetit politik mbetet pengesa kryesore për tejkalimin e krizës aktuale institucionale në Kosovë.



