Nga Blerim Shala
Botën e lume e kemi në dorë. Në telefonin e mençur. Jemi të lidhur me Botën dhe nuk ka gjë që ndodhë në të katër anët e këtij rruzulli që nuk na vjen në kohë reale në këta telefona.
Është lidhje pra non-stop. Që kurrë nuk fle. Edhe kur ne jemi në gjumë.
Natyrisht, ende shikojmë televizor, dhe tutje i shfrytëzojmë mjetet tradicionale të informimit.
Por, sa po marrim vesh, sa po kuptojmë çfarë po ndodhë në këtë pështjellimin e paparë në këtë shekull, kjo është çështje në vete.
Tek e fundit, këtu mund të shtojë dikush menjëherë që kjo rrëmujë që po definohet (në mënyrë krejt të përgjithësuar, në mungesë të koncepteve më të qarta), si ‘Post everything and Pre nothing’, ka bërë lëmsh dijen politike si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, në shtetet më të fuqishme dhe më të organizuara, e lëre më te ne.
Mbase, sërish këtu mund t’i kthehemi asaj thënieje njëmend gjeniale të mendimtarit italian marksist, Antonio Gramscit, ku ai shprehet: ‘Bota e vjetër po vdes, Bota e re po përpiqet të lind: tash është koha e përbindëshave’.
Nuk është befasi pra që sa më shumë po ecim në këto territoret e paqarta dhe të pa eksploruara ndërkombëtare, aq më shpesh po na kujtohet ky vlerësim i Gramscit.
Për më shumë, dyshimet sa vijnë e shtohen se si mund të mbahet (disi) paqja e brishtë botërore në kohën e përbindëshave, dhe kah do të ecën tash e tutje ky ortek i madh dhe i rrezikshëm.
Sidoqoftë, për popujt dhe shtetet e vogla, çfarë jemi ne këtu në Kosovë, realisht, nuk ka fort dilema se çka do të duhej bërë, apo kah duhet me ia mbajt tash e tutje.
Nuk do të themi gjë të re nëse këtu përsërisim që çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës janë mbi të gjitha rezultat i partneritetit dhe miqësisë (në rastin e SHBA-së), të cilin ne e bëmë me Perëndimin që prej viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Nuk do të themi gjë të re, (pra), por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi nisur të harrojmë se çfarë na ka ndodhur në atë thyerjen e madhe, vendimtare, të fatit tonë kolektiv, veçmas në vitet e luftës (1998, 1999).
Nuk ka drejtësi në politikën dhe në historinë ndërkombëtare. Pos në raste shumë të rralla, çfarë ishte ai i popullit shqiptar në Kosovë.
Kaq e thjeshtë është puna. Dhe kaq e ndërlikuar. Do të mund të thuhej.
Por nuk është rendi që ne këtupari të bëhemi farë ‘Busulle morale’ e gjithë dynjasë, për t’i dhënë mend atyre që as nuk po na e kërkojnë, dhe për të treguar se çfarë është drejtësia ndërkombëtare.
Nuk është që nuk ka pretendime të tilla tek ne. Madje, gjithnjë e më të zëshme.
Liria e shprehjes dhe liria e mendimit është e garantuar. Ne jemi shoqëri dhe shtet demokratik. Pa dyshim. Dhe këto liri, nganjëherë të çojnë kah liria e marrëzisë.
Bota është kjo që është tash. Nuk e kemi zgjedhë ne. Nuk është në mandatin dhe mundësinë tonë. Po të ishte, ne së pari do ta refuzonim me sukses atë okupimin e Kosovës nga Serbia, para më shumë se një shekulli.
Çfarë na mbetet si një popull dhe një vend i vogël është që së pari të kuptojmë, aq sa është e mundur, çka po ndodhë atje ‘Jashtë’, të mbajmë gjendjen sa më stabilë që është e mundur këtu ‘Brenda’, dhe që mos të ketë përplasje në mes nesh dhe politikës ndërkombëtare, e cila për ne (së paku), ka një autoritet të qartë suprem, të cilin e dimë të gjithë.
Ne i kemi bërë tashmë zgjedhjet tona të mëdha. Ato, për më shumë, ishin të mençura, të guximshme dhe largëvajtëse. Ato na shpëtuan si popull dhe na bënë zot të vetvetes.
E mira supreme në gjithë këtë lëmshin ndërkombëtar është që si asnjëherë më parë, shteteve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor nuk do t’i lihet shtegdalje tjetër pos të bëhen pjesë e Perëndimit.
Ky natyrisht është lajmi më i mirë i mundshëm për Kosovën.
Pas përfundimit të eksperiencës në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, Miri ka ndarë disa…
Aktualisht, temat më aktuale janë paga minimale, e cila në Maqedoni është 26.046 denarë ose…
Ish-banori i “Big Brother VIP”, Miri, ka vendosur t’i vërë pikat mbi “i” lidhur me…
Sot (24.04.2026), në ora 08:17, në SPB Shkup është denoncuar se në një kantier ndërtimi…
Është në shitje seria e tretë e tiketes instant “Etja e Artë”, e cila sjell…
Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri i “West Side Family”, ka qenë i…