BDI: Kostovski me zero investime në lagjet shqiptare

featured
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Linkest Lumani, bartës i listës për këshilltarë të Bashkimit Demokratik për Integrim në Komunën e Butelit, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit në ikje të komunës, Darko Kostovski, duke e akuzuar atë për manipulim publik dhe përvetësim të projekteve që nuk janë rezultat i punës së tij.

Në reagimin e tij, Lumani thekson se Kostovski po përpiqet të ndërtojë një narrativë të rreme gjatë fushatës zgjedhore, duke i paraqitur si “suksese të tij” projektet që në të vërtetë janë ideuar, financuar dhe realizuar nga qeveria e kaluar dhe nga kuadrot e BDI-së.

“BDI demanton kryetarin në ikje të Butelit, i cili po përvetëson projekte që nuk i përkasin atij. Ai bën fushatë politike mbi arritjet e qeverisë së kaluar dhe punët e përfunduara nga Bashkimi Demokratik për Integrim,” deklaron Lumani. Sipas tij, shkolla e Vizbegut është shembulli më i qartë i këtij manipulimi. “Shkolla e Vizbegut është projekt i përgatitur, financuar dhe realizuar nga kuadër i BDI-së, ndërsa Kostovski thjesht ka prerë shiritin në ditën e përurimit,” shton ai.

Lumani akuzon kryetarin në ikje për neglizhencë të plotë ndaj zonave me shumicë shqiptare. “Në vend që të ndërtonte rrugën e baltosur ku kalojnë nxënësit çdo ditë, ai nuk bëri asnjë investim – as asfalt, as infrastrukturë. Kostovski flet për 5.2 milionë euro investime në Butel, por nuk tregon ku janë ato. Në lagjet shqiptare – investimi është zero,” theksoi ai.

Ai përmend edhe pabarazitë në investime ndërmjet shkollave maqedonase dhe atyre shqiptare:

“Në shkollat maqedonase si ‘Kliment Ohridski’ ndërtohen pishina, ndërsa shkolla e Vizbegut dhe ajo e Lubotenit nuk kanë as një sallë sporti,” deklaroi Lumani. Lumani e cilëson “manipulim politik” premtimin e Kostovskit për ndërtimin e një shkolle të re në Luboten.

“Gjatë gjithë mandatit të tij, ai nuk ka bërë as një përpjekje reale për këtë projekt,” u shpreh ai. Në fund të deklaratës, bartësi i listës së BDI-së bën thirrje për fundin e propagandës dhe nisjen e një epoke të re me përfaqësim të drejtë në Komunën e Butelit.

“Mjaft më me manipulime dhe propagandë! Koha për ndryshim – koha për kryetarin e parë shqiptar në Komunën e Butelit!” përfundon reagimi i Linkest Lumanit.

BDI: Kostovski me zero investime në lagjet shqiptare
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *