Ish-kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Novakovski, paralajmëron një “çunami” zgjedhor nëse nuk rregullohet pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale. Në një intervistë për Sloboden Pečat, Novakovski thekson se nëse nuk merren masa, Komisioni Shtetëror Zgjedhor do të përballet me një numër jashtëzakonisht të madh kandidatësh, gjë që mund të çojë në kaos të plotë në gjithë procesin zgjedhor, nga printimi i fletëve të votimit deri te organizimi i vëzhguesve, përcjell PressOnline.al.
Ai shton se nëse ndryshimet e nevojshme ligjore nuk miratohen nga parlamenti, rrezikohet të shpenzohen miliona euro të qytetarëve dhe zgjedhjet mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese si jolegjitime. Problemi lind pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të hequr dy dispozita nga Kodi Zgjedhor që lidhen me pragun e nënshkrimeve për listat e pavarura. Ndërkohë, zgjedhjet lokale janë shpallur tashmë dhe afatet për procedurat zgjedhore po shkojnë përpara, ndërsa deputetët ndodhen në pushim, duke lënë kështu të pazgjidhur këtë vakum ligjor.
Të gjitha paralajmërimet shkoj në atë drejtim se nëse nuk ka veprim urgjent, pasojat për procesin zgjedhor mund të jenë dramatike, duke rrezikuar stabilitetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve lokale. (PressOnline.al)









