Nga Liridona Beqiri
Njëra palë ka ngecur në reforma, tjetra në gabimet e qeverisjes, të dyja bashkë në cunamin e zgjedhjeve të parakohshme!
Për një kohë të gjatë, partitë dhe institucionet tona politike dominohen nga struktura dhe politikan që nuk pasqyrojnë më nevojat reale të popullit. Këto struktura – të ndërtuara mbi klane të caktuara, vetëkënaqësi dhe ideologji të vjetruara, kanë dështuar në ndërtimin e mirëqenies së qytetarëve. E kur qytetarët nuk u besojnë më udhëheqësve dhe menaxhimit efektiv, sistemi politik bëhet i prirur ndaj destabilitetit.
Në Maqedoninë e Veriut gjithmonë ka qenë më e vështirë të jesh shqiptar, duke pasur parasysh udhëtimin e shqiptarëve i përcaktuar nga qëndrueshmëria përballë betejave për identitet, drejtësi, vështirësive nga përjashtimi sistematik, margjinalizimi politik dhe diskriminimi social. Për një popull me rrënjë të thella në këtë vend, sdomend që do ishte e papranueshme mohimi i identitetit kombëtar dhe të drejtave. Arritja e shqiptarëve në faktorizimin politik e bëri edhe më të vështirë të qenurit shqiptar përballë shqiptarit, një lloji i pushtetit i shqiptarëve që të bën të besosh se je absolutisht i pazëvendësueshëm, duke i’u bërë Zotit shok me shijen e fuqisë.
I gjith ky sulltanat i qeverisjes së kaluar përfundoi duke i dhënë rrugë “mjeshtrave” aspirantë të ndryshimit në këtë vend që premtuan një agim të ri qeverisjeje me deklarata madhështore të transformimit të atij lloji pushteti (që shumica kanë qenë pjesë përbërëse për gjatë kohë). E në ndërkohë kjo klasë politike qeveritare, e vetëquajtur kampione e ndryshimit, e tradhtoi popullin shqiptar!! Duke na rikthyer në ditët e errëta të historisë sonë, ndryshimin që sollën ata sështë asgjë më shumë se i njëjti shfuqizim dhe nëpërkëmbje e vjetër e shqiptarëve, e me një retorikë të qetë kthejnë sistemet e shtypjes dhe pabarazisë që dikur luftuam për të çmontuar.
Kacafytjet mes bllokut shqiptar për mënyrën e qeverisjes ku partitë politike përpiqen furishëm të pastrojnë pasojat nga aktet e tyre me gjithë hirin e dëmeve, sollën dhe debatin për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, bashkangjitur me tonalitete tallëse të Kryeministrit i cili me shumë sportivitet i komenton deklaratat e politikanëve shqiptar!
Pozita shqiptare (VLEN) na kanë pakësuar politikisht në përfaqësim dhe cdo gjë tjetër si popull për axhendat e tyre egoiste, na kanë bërë të ndihemi të vegjël, të zhgënjyer dhe të pafuqishëm duke dëshmuar një dështim për të udhëhequr. Një strukturë politike që ka absolutisht zero ndikim ,një udhëheqje pa funksion, pa drejtim dhe pa asnjë ide se çfarë po bënë. Të njejtit e kanë zotëruar artin e të kritikuarit gjithçka duke mos ofruar zgjidhje, ndërkohë, ndikimi i tyre aktual në qeverisje është po aq domethënës sa zhurma që bën një lodër gome kur shtrydhni ose njejtë si të luash bejsboll pa shkop, dhe si të tillë pozita maqedonase dhe mediat i duan ata por populli jo. E nëse shërbimi i tyre në detyrë do të ishte një film, do të quhej “Si të humbasësh votuesit në 100 ditë qeverisje nga lëvizje politikisht katastrofike”.
Opozita shqiptare, gjegjësisht BDI, duke luajtur teatër etik, kërkoi zgjedhje të parakohshme! Ajo që mbetet e pandryshueshme si avantazh për ta, është fakti që disa politikan me fjalë boshe përballen me një lider që ka mbushur librat e historisë në faktorizimin dhe përndritjen e shqiptarëve.
Por çdo rikthim në qeverisje duhet të jetë reflektim i reformimit dhe riparimit të strukturës dhe pastrimit brenda llojit të aktorëve të caktuar. Sa është e reformuar dhe e gatshme opozita?
Nëse ka një gjë që mund të bëjë që ingranazhet e brendshme të një partie të bluajnë, ajo është një reformë urgjente që këmbëngul në freskimin dhe riparimin e gjërave, që nënkupton heqjen apo largimin elegant të gardës së vjetër- “Klubin e gjyshërve partiak’’së bashku me tërë bagazhin e tyre politik. Pikërisht ata veteranët, “yjet” e partisë që kanë zotëruar artin e kultivimit të antivlerave, shmangies së llogaridhënies dhe kthimit të skandaleve në kulmin e karrierës. Veteranë politik me plot skandale e që janë plakur politikisht më keq se qumështi nga vala e të nxehtit por që ende i kanë kollaret e qeverisjes pas 2001-shit të cilat janë vula e “pakujdesive të tyre rinore” në politikë!
Kur udhëheqja e re hapëron me axhendën e tyre të guximshme për reforma, aktorët e vjetër bëhen instiktivisht mbrojtës! Por në fakt, axhenda e vërtetë është reforma – dhe hapi i parë në reformë është heqja e peshës së vdekur, respektivisht politikanët e vjetër të tipit ”one man show” që kanë bërë më shumë tituj për dramën e tyre personale sesa për impaktin e qeverisjes së tyre, brigada e vjetër që është ende duke lobuar për një rikthim të pakuptimtë për t’i shijuar privilegjet e pushtetit, të komplekseve për vëmendje (sepse pasuri nuk ju duhet më shumë).Heqja mënjanë e gardës së vjetër në heshtje (ose jo në heshtje), bën që partia të përballet çështjen se kush do t’a mbushë boshllëkun e lënë nga politikanët e skandalizuar? Gjithsesi zëvendësimi i tyre nuk duhet të jetë vetëm me gjetjen e dikujt që e njeh politikën – por me gjetjen e dikujt që mund të jetë jetë titull për arsye të duhura në shërbim të popullit.
Të njejtat fytyra me hile nën mëngë i shohim ende të rreshtuar në rradhë të parë në çdo mbledhim partiak dhe më gjërë, me pretekstin e fajësimit të çdo gjë që cënon ulësen e tyre, armiqtë e dukshëm dhe të padukshëm brenda dhe jashtë partisë (madje edhe motin)! Po, janë pikërisht ata politikanë që ngjajnë në makina që i’u është qëruar boja, me rrota të lëkundura dhe me dyshime nëse ende i’u punon motori. Me kësi lloj profilesh as fati më i madh nuk të ndihmon dot në zgjedhje! Është ky tipari i dominimit të udhëheqjes së vjetër apo fraksioneve të ngulitura që krijojnë paqëndrueshmëri nga axhendat kontradiktore dhe dalja në zgjedhje të parakohshme mund të jetë edhe një rrëshqitje në një lëvozhgë bananeje.
Është koha për çlirimin e demokracisë brenda strukturave partiake, hapsira të reja dhe mundësi për potencialin e të rinjëve që sjellin në vendimmarrje. Por jo vetëm disa fytyra të freskëta si kandidat të ri karizmatik që do të jenë të nënrenditur të funksionerëve të mëhershëm që synojnë një rindezje nostalgjike me shumë entuziazëm për akomodim dhe asgjë tjetër.
Populli është i lodhur. Ne nuk jemi një popull që përcaktojmë të ardhmen nga dështimet e disave. Dinjiteti është diçka që ne e rikuperojmë së bashku – duke kërkuar një klasë politike që na shërben, duke ndërtuar institucione që na respektojnë. Hapni krahun të rinjëve që premtojnë, atyre që energjia, profesionalizmi, inovacioni, idealet dhe gatishmëria për t’ju përballur me tjerët në intelekt, formojnë të ardhmen e shqiptarëve.
Thyeni barrierat e hyrjes që pengojnë të rinjtë të futen në politikë, hiqni rregullat arbitrare në përzgjedhjen e tyre, tranformoni ato nga vëzhgues pasiv dhe tifoz mitingjesh në agjent ndryshimi në poste vendimmarrëse, hiqni barrierat penguese që ballafaqohen të rinjtë, inkurajoini ato përmes sistemit të mentorimit për të siguruar që mençuria dhe puna janë vektorët e vetëm që sjellin arritje. Ne kemi gjeneratë të re të pakonsumuar, me ide të reja, perspektiva të reja dhe besim të paepur që ndryshimi nuk është thjesht i mundur, por i pashmangshëm për këtë situatë të thurrjes së ardhmërisë tonë. Të rinjë që nuk janë të lidhur nga ideologjitë e vjetruara dhe kanë më pak frikë të sfidojnë cdo cënim, guxim i përcjellur me ndjenjën e urgjencës për çështjet që ndikojnë në të ardhmen, një e ardhme ku padrejtësia përballet me unitet, ku diskriminimi zëvendësohet me përfshirjen dhe ku paqja nuk është vetëm mungesa e konfliktit, por prania e drejtësisë dhe respektit.
Në këtë disunitet të gardës së vjetër të skenës politike që njohin çdo boshllëk të sistemit që vetë kanë krijuar dhe nga ana tjetër brezi i të rinjëve – me ide të freskëta, menjde të kalitura, sy të ndritshëm dhe një frikë absolute nga gjigantët politik të mbetur, por një dëshirë për të ndryshuar këtë realitet, është e rëndë të përcaktosh reformimin si normë.
Është koha për t’i mbajtur politikanët përgjegjës për veprimet e gjithsecilit. Historia nuk fal, populli nuk fal, nuk ka më justifikime, jo më gishta ndaj njëri-tjetrit. Është urgjencë kombëtare, keni pasur shumë kohë, tanimë dhe durimi është lodhur! Reflektoni!