Categories: MAQEDONIOPINIONE

“Napolitanka” politike dhe matematika e humbjes

Press Online
13 Shkurt 2026, 11:39

Nga iluzioni i koalicionit multietnik te fragmentimi komunal “napolitanka” – si u konsumua kapitali politik i një partie dydekadëshe.

Nga Destan JONUZI

Rënia e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk është thjesht pasojë e një cikli elektoral të pafavorshëm. Ajo është produkt i një konsumimi të gjatë politik, i një transformimi identitar të gabuar dhe i një strategjie të shkëputur nga realiteti sociologjik i elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Partia që për më shumë se dy dekada dominoi spektrin politik shqiptar, sot gjendet në një krizë që nuk është vetëm numerike.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, BDI zgjodhi të ndërtojë një narrativë të re, koalicionin multietnik si platformë emancipimi politik. Në teori, ky ishte një projekt që pretendonte të kapërcente kufijtë etnikë dhe të ofronte një model qytetar. Në praktikë, ai u perceptua si braktisje e kauzës autentike shqiptare dhe si relativizim i përfaqësimit politik.

Elektorati shqiptar, i lodhur nga kompromiset e zgjatura dhe nga perceptimi i kapjes së institucioneve, nuk kërkonte një eksperiment identitar, por rikthim te llogaridhënia, meritokracia dhe dinjiteti politik. Në vend të kësaj, BDI u shfaq si një strukturë që përpiqej të zgjaste pushtetin përmes formulave të reja semantike, por pa përmbajtje të re.

Ky projekt u përball me një kundërvalë të fortë politike, të artikuluar nga opozita e atëhershme VLEN dhe e amplifikuar nga mediat në gjuhën shqipe dhe maqedonase, të cilat evidentuan kontradiktën midis retorikës së integrimit dhe praktikës së klientelizmit. Në këtë kontekst, multietniciteti i shpallur u lexua si oportunizëm, jo si vizion.

“Napolitanka” komunale

Gabimi i dytë strategjik ishte në zgjedhjet lokale. Ndarja e komunave sipas formulës së ashtuquajtur “napolitanka” – një shpërndarje kalkulative e territoreve dhe kandidaturave për të kënaqur aleatë të përkohshëm, si figura të spektrit opozitar, përfshirë Selën dhe Taravarin.

Ky model i fragmentimit territorial, në vend që të forconte frontin shqiptar, krijoi perceptimin e pazareve politike mbi kurrizin e votuesit. Komunat nuk janë thjesht njësi administrative, ato janë hapësira identitare, ekonomike dhe simbolike. Kur ato trajtohen si copa torte në tryezë negociatash, mesazhi që dërgohet është i qartë, interesi partiak prevalon mbi interesin publik.

Në vend të konsolidimit, ndarja prodhoi konfuzion dhe demotivim elektoral. Votuesi shqiptar, veçanërisht ai urban dhe i ri, e refuzoi këtë matematikë të vjetër politike, duke kërkuar alternativa më koherente dhe më transparente.

Konsumimi i pushtetit dhe mungesa e vetëkritikës

BDI ka qenë pjesë e pothuajse çdo qeverie që nga viti 2002. Ky fakt, që dikur shihej si dëshmi e pjekurisë politike dhe aftësisë negociuese, sot perceptohet si monopolizim i pushtetit. Pushteti i zgjatur prodhon jo vetëm stabilitet, por edhe arrogancë strukturore.

Mungesa e reformimit të brendshëm, e rotacionit të elitave dhe e hapjes ndaj brezit të ri e ka kthyer partinë në një organizëm të ngurtë. Figura historike si Ali Ahmeti mbeten simbolikisht të forta, por simbolika nuk mjafton për të përballuar një elektorat që kërkon rezultate konkrete dhe etikë publike.

Ndërkohë, raportimet e vazhdueshme në media për nepotizëm, punësime partiake dhe kapje të segmenteve të administratës e kanë gërryer besimin publik. Edhe kur këto akuza nuk janë provuar juridikisht, perceptimi është bërë realitet politik.

Ndryshimi i paradigmës shqiptare

Shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar. Ajo është më urbane, më e arsimuar, më e lidhur me diasporën dhe më e ekspozuar ndaj standarE madhee evropiane të qeverisjes. Narrativat e luftës dhe të legjitimitetit historik nuk kanë më peshën mobilizuese që kishin dy dekada më parë. BDI vazhdon të operojë me instrumente të vjetra në një terren të ri.

Pse rimëkëmbja është e pamundur?

Kriza e BDI-së nuk është komplot, është pasojë e një cikli të mbyllur. Ajo ka konsumuar kapitalin moral, politik dhe simbolik që e mbajti në pushtet për më shumë se njëzet vjet.

Nëse politika është art i përshtatjes me kohën, atëherë BDI ka mbetur peng i kohës së vet. Dhe kur një parti nuk arrin të lexojë ndryshimin shoqëror, ajo nuk humb vetëm zgjedhjet – humb relevancën.

Në këtë kuptim, rimëkëmbja nuk është çështje dëshire, por e strukturës së brendshme dhe e kontekstit të ri politik. Dhe të dyja flasin qartë, epoka e dominimit të BDI-së ka përfunduar.(PressOnline.al)

Press Online

Recent Posts

“Më ka pëlqyer bionde, por…”/Miri ka një koment për flokët e bashkëshortes

Pas përfundimit të eksperiencës në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, Miri ka ndarë disa…

47 minuta ago

Sa litra naftë mund të blihen me një pagë minimale?

Aktualisht, temat më aktuale janë paga minimale, e cila në Maqedoni është 26.046 denarë ose…

58 minuta ago

‘Ti thoshte vajzës së tij’, Miri i drejtpërdrejtë me babain e Selin

Ish-banori i “Big Brother VIP”, Miri, ka vendosur t’i vërë pikat mbi “i” lidhur me…

2 orë ago

Ngjarje e rëndë në Shkup, punëtorët zihen nga dheu i një ndërtese, po vijojnë kërkimet

Sot (24.04.2026), në ora 08:17, në SPB Shkup është denoncuar se në një kantier ndërtimi…

2 orë ago

TRE LOJËRA, TRE SHANSE PËR FITORE – VETËM ME “ETJA E ARTË” NGA LOTARIA SHTETËRORE!

Është në shitje seria e tretë e tiketes instant “Etja e Artë”, e cila sjell…

2 orë ago

Miri tregon pyetjen më të shpeshtë që po merr pas daljes nga BBVA

Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri i “West Side Family”, ka qenë i…

3 orë ago