Categories: OPINIONE

Një rrëfim që duhet të ndodhë

Press Online
19 Janar 2026, 20:52

Shkruan: Blerim Shala

Kështu është për çdo vit, me 15 janar.

Kështu është tash e 26 vjet, që prej se në vitin 2000 për herë të parë u shënua përvjetori i masakrës së Reçakut.

Të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave rrëfejnë sërish çfarë ka ndodhur atë ditë të vitit të dytë të luftës në Kosovë.

Ambasadori William Walker, i cili që prej të shtunës së 16 janarit, kur si Shef i Misionit verifikues të OSBE-së  (KVM), qëndroi në vendin e krimit të madh, u bë zëdhënës i të vërtetës së rëndë, i bashkohet qytetarëve në ceremonitë e përvitshme. Të shumtë janë ata që duan të bëjnë foto me te.

E dimë të gjithë që diplomati amerikan me qëndrimin e tij hapi udhë për ndërmarrjen e madhe diplomatike perëndimore e cila kulmoi me Konferencën e Rambouillet dhe me fushatën ajrore të Aleancës Veri-Atlantike.

Këto pastaj nisën një histori që do të njeh çlirimin e Kosovës, në qershorin e vitit 1999 dhe  bërjen e shtetit të Kosovës, në shkurtin e vitit 2008.

Më në fund, si çdo 15 janar pra, edhe kësaj herë liderët institucional dhe politik të vendit i bashkohen dhimbjes së banorëve të këtij fshati që bën pjesë në atë hartën rrugore të krimeve të pushtetit të Serbisë në vitet e luftës, për të përsëritur që drejtësia për viktimat e kësaj masakre duhet të përmbushet.

U bënë pra 27 vjet të plota nga Reçaku i 15 janarit të vitit 1999, Bota është rrotulluar shumë herë politikisht, por ne kemi mbetur të njëjtë në relacionin tonë me këtë ditë dhe me këtë krim, sepse historia e luftës ende nuk është arkivuar, ende nuk ka marrë atë trajtën konkluduese, finale.

Paramendoni tash këtë pamje, e cila në rrethanat e tanishme në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë është e barabartë me fantastikën shkencore. Por, kjo tablo herët a vonë duhet të ndodhë nëse njëmend këndejpari, në këto anë të Evropës, duam paqe dhe stabilitet afatgjatë.

Ja si do të mund të dukej ky rrëfim.

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë u bënë bashkë në këtë 15 janar, për të vizituar kompleksin memorial të Reçakut.

Ata së bashku vunë kurora në këto varreza.

Presidenti i Serbisë edhe një herë  (siç ka bërë tashmë në disa raste), kërkoi falje për krimet që pushteti i atëhershëm i Serbisë i bëri këtu, në këtë vend dhe në mbarë Kosovën. Ky u përul para varrezave dhe madje, ra në gjunjë.

Ai pastaj përsëriti që krimet e këtilla nuk mund të harrohen dot, por Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, duke e kujtuar gjithmonë kapitullin e hidhur të luftës në Kosovë, do të duhet të bashkëpunojnë në të gjitha sferat e mundshme, për të promovuar pajtimin midis dy popujve, veçmas në perspektivën e anëtarësimit të dy shteteve në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Kosovës theksoi në vazhdim që teksa historia tragjike ka ndarë dy vende një herë e mirë, ardhmënia e përbashkët në BE, si dhe vlerat që Kosova dhe Serbia ndajnë, si dy shtete evropiane dhe perëndimore, përbën orientimin e palëkundur të dy shteteve dhe të dy popujve, të cilët tashmë i kanë normalizuar plotësisht marrëdhëniet në mes tyre.

Kosova dhe Serbia tash e sa kohë kanë fqinjësi të mirë.

Fundi i këtij rrëfimi.

Bota është sot në rrëmujë. Këtë e kemi të qartë të gjithë. Nuk ka kush që mund të parasheh se çfarë do të mund të ndodhë tash e tutje, madje edhe në marrëdhëniet e shteteve mikë në krahun perëndimor të qytetërimit. Dihet pse.

Raportet e Kosovës dhe Serbisë janë shumë larg atyre synimeve evropiane dhe amerikane për normalizimin e tyre.

Megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve duhet të ndodhë. Dhe rruga për te, gjithsesi kalon edhe përmes Reçakut. Nuk ka tjetër.

Press Online

Share
Published by
Press Online

Recent Posts

“Më ka pëlqyer bionde, por…”/Miri ka një koment për flokët e bashkëshortes

Pas përfundimit të eksperiencës në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, Miri ka ndarë disa…

45 minuta ago

Sa litra naftë mund të blihen me një pagë minimale?

Aktualisht, temat më aktuale janë paga minimale, e cila në Maqedoni është 26.046 denarë ose…

57 minuta ago

‘Ti thoshte vajzës së tij’, Miri i drejtpërdrejtë me babain e Selin

Ish-banori i “Big Brother VIP”, Miri, ka vendosur t’i vërë pikat mbi “i” lidhur me…

2 orë ago

Ngjarje e rëndë në Shkup, punëtorët zihen nga dheu i një ndërtese, po vijojnë kërkimet

Sot (24.04.2026), në ora 08:17, në SPB Shkup është denoncuar se në një kantier ndërtimi…

2 orë ago

TRE LOJËRA, TRE SHANSE PËR FITORE – VETËM ME “ETJA E ARTË” NGA LOTARIA SHTETËRORE!

Është në shitje seria e tretë e tiketes instant “Etja e Artë”, e cila sjell…

2 orë ago

Miri tregon pyetjen më të shpeshtë që po merr pas daljes nga BBVA

Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri i “West Side Family”, ka qenë i…

3 orë ago