Nga Ditmir Bushati
Presidentja e Kosovës dekretoi shpërndarjen e Parlamentit të sapokrijuar, pas dështimit të këtij të fundit për të siguruar kuorumin e nevojshëm për të nisur procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri.
Nuk është e nevojshme të analizohen amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës që u shqyrtuan në mënyrë të rrufeshme; kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, pas dështimit për të siguruar kuorumin; dhe vete dekreti i Presidentes për shpërndarjen e parlamentit.
Asnjëra nga këto lëvizje institucionale nuk e zëvendëson vullnetin dhe gadishmërinë politike që u mungoi aktorëve politikë për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Kushetuta e Kosovës dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë një president që gëzon mbështetje politike mbi palët. Thënë troç, një president që vjen si produkt i kompromisit politik.
Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, sepse kompromisi u konsiderua ‘fjalë e keqe’. Mirëpo, edhe parlamenti që do të konstituohet nga zgjedhjet e reja do t’i nënshtrohet të njëjtës formulë për zgjedhjen e presidentit. Që do të thotë se, sërish do të nevojitet kompromis politik.
Një formulim disi të ngjashëm ka pasur Kushtetua e Shqipërisë e vitit 1998 që parashikonte se, presidenti zgjidhet me një shumicë të cilësuar votash në një procedurë me 5 raunde në parlament. Dhe nëse parlamenti shpërndahej, sepse nuk arrinte të zgjidhte presidentin, parlamenti i formuar nga zgjedhjet e reja i nënshtrohej të njëjtës formulë.
Arsyeja? Hartuesit e Kushtetutës dhe ekspertët e spikatur ndërkombëtarë që asistuan atë proces pas ngjarjeve tragjike të 1997, këmbëngulnin se, vende si Shqipëria, për shkak të mungesës së traditës demokratike, e kanë të nevojshme të rrënjosin kulturën e kompromisit politik. Kështu, shpërndarja e Parlamentit si ‘kërcënim’, konsiderohej në të njëjtën kohë edhe si ‘nxitje’ për arritjen e kompromisit politik.
Për fat të keq, Shqipëria arriti të zgjedhë me mirëkuptim politik vetëm një herë, në vitin 2002, Presidentin e Republikës. Më pas, dominoi instikti i imponimit dhe nënshtrimit politik, e deri te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që u shoqëruan me ndryshim të formulës së zgjedhjes dhe zbehje të rolit Presidentit të Republikës.
Kosova po shkel në një fushë të minuar. Sfidat e shtetkonsoldimit demokratik dhe integrimit të plotë të Kosovës në familjen euro-atlantike janë të panumërta. Ato kërkojnë kompromise politike dhe jo veprime impulsive apo imponime të ndërsjella.
Kosova po shkon drejt zgjedhjeve për të tretën herë brenda një viti e gjysmë.
Një skenar që duhej të ishte shmangur!
Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri i “West Side Family”, ka qenë i…
Ukraina dhe Bashkimi Evropian shpresojnë të nisin zyrtarisht negociatat për anëtarësim, pas humbjes zgjedhore të…
Analisti politik Petar Arsovski vlerësoi se nuk duhen pritur ndryshime thelbësore në marrëdhëniet me Bullgarinë,…
Meta do të shkurtojë mijëra vende pune muajin e ardhshëm, ndërsa shpenzon më shumë se…
Dje, pati një lehtësim të jashtëzakonshëm midis udhëheqësve, sepse për herë të parë pas vitesh,…
Juventusi po kërkon përforcime për sezonin e ardhshëm dhe midis emrave që po merren në…