Categories: MAQEDONIOPINIONE

Elita që flet shumë dhe thotë pak

Press Online
11 Shkurt 2026, 12:37

Midis retorikës patriotike dhe rehatisë me pushtetin, politika dhe intelektualët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po humbin guximin për të thënë të vërtetën.

Nga Destan JONUZI

Ka diçka që nuk shkon. Nuk është vetëm kriza politike, as vetëm varfëria, as vetëm emigrimi që po na zbraz qytetet. Është një ndjenjë më e thellë, sikur nën sipërfaqen e zhurmshme të shoqërisë sonë po kalbet diçka themelore, raporti me të vërtetën.

Jetojmë në kohën e deklaratave të mëdha dhe iE madhee të vogla. Politikanët flasin çdo ditë. Analistët po ashtu. Rrjetet sociale vlojnë nga komente, opinione, reagime. Por në gjithë këtë kakofoni, mendimi i vërtetë është bërë mall i rrallë. Fjalët janë të shumta, por pesha e tyre është e lehtë.

Intelektualët tanë, me përjashtime, kanë pushuar së qeni zë kritik dhe janë shndërruar në zëra të kujdesshëm. Flasin me një gjuhë të matur, të sterilizuar, diplomatike. Jo sepse kanë pushtet, por sepse duan të jenë afër tij. Afërsia me pushtetin është bërë kapital simbolik. Një ftesë në takim, një post këshilltari, një projekt i financuar, një fotografi në krah të ministrit dhe kritika zbutet, relativizohet, tretet.

Në vend të mendimit kemi pozicionim. Në vend të analizës kemi kalkulim.

Shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka kaluar një rrugë të gjatë politike. Nga margjinalizimi institucional në përfaqësim të konsiderueshëm. Sot kemi ministra, drejtorë, kryetarë komunash, deputetë. Por, a kemi qeverisje më të mirë? A kemi institucione më funksionale? A kemi arsim dhe shëndetësi që u përgjigjen nevojave të qytetarëve?

Politika shqiptare vazhdon të mbështetet te narrativa e përhershme e “garantuesit të të drejtave”. Dhe askush nuk e mohon rëndësinë e përfaqësimit dhe barazisë. Por kur kjo narrativë përdoret si mburojë për të fshehur nepotizmin, korrupsionin dhe paaftësinë, ajo kthehet në justifikim.

Sa herë shpërthen një skandal, diskursi zhvendoset. Nga përgjegjësia individuale kalojmë te “rreziku për stabilitetin”. Nga dështimi administrativ kalojmë te “interesat kombëtare”. Dhe kështu, çdo kritikë etikohet si sulm politik ose si mungesë “ndjeshmërie”.

Ndërkohë, të rinjtë largohen. Çdo autobus për Gjermani është votë mosbesimi ndaj sistemit. Çdo diplomë që nuk gjen punë është aktakuzë ndaj politikave tona arsimore. Por për këto flitet më pak, sepse këto nuk zgjidhen me konferenca për shtyp.

Në këtë realitet, roli i intelektualit duhej të ishte thelbësor. Ai duhej të ishte ndërgjegjja kritike e shoqërisë. Por shpesh ai është bërë pjesë e koreografisë publike. I pranishëm në studio, i kujdesshëm në formulime, i gatshëm të kritikojë “në përgjithësi”, por rrallë të emërojë përgjegjës konkretë.

Është interesante si tek ne kritika bëhet gjithmonë abstrakte. “Sistemi ka probleme”. “Shoqëria duhet të reflektojë”. “Institucionet duhet të reformohen”. Ky drejtor abuzoi. Kjo parti e kapi institucionin. Abstraksioni është streha më e sigurt e konformizmit.

Dhe këtu lind cinizmi. Qytetari e ndjen këtë boshllëk. Ai e kupton kur debati është i sinqertë dhe kur është i inskenuar. Kur analiza është bindje dhe kur është shërbim.

Shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut ndodhet mes dy realiteteve, një përfaqësimi formal që duket i plotë dhe një përmbajtjeje që shpesh është e brishtë. Kemi pushtet në letra, por jo gjithmonë autoritet moral. Kemi poste, por jo gjithmonë vizion.

Nëse intelektuali vazhdon të kërkojë rehati në vend të së vërtetës, dhe politika vazhdon të kërkojë duartrokitje në vend të reformës, atëherë kalbëzimi do të vazhdojë – i padukshëm, por i ndjeshëm në çdo segment të jetës publike.(PressOnline.al)

Press Online

Recent Posts

‘Ti thoshte vajzës së tij’, Miri i drejtpërdrejtë me babain e Selin

Ish-banori i “Big Brother VIP”, Miri, ka vendosur t’i vërë pikat mbi “i” lidhur me…

29 minuta ago

Ngjarje e rëndë në Shkup, punëtorët zihen nga dheu i një ndërtese, po vijojnë kërkimet

Sot (24.04.2026), në ora 08:17, në SPB Shkup është denoncuar se në një kantier ndërtimi…

55 minuta ago

TRE LOJËRA, TRE SHANSE PËR FITORE – VETËM ME “ETJA E ARTË” NGA LOTARIA SHTETËRORE!

Është në shitje seria e tretë e tiketes instant “Etja e Artë”, e cila sjell…

1 orë ago

Miri tregon pyetjen më të shpeshtë që po merr pas daljes nga BBVA

Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri i “West Side Family”, ka qenë i…

2 orë ago

Zelensky optimist për negociatat e anëtarësimit ndërsa liderët e BE-së mblidhen në Qipro

Ukraina dhe Bashkimi Evropian shpresojnë të nisin zyrtarisht negociatat për anëtarësim, pas humbjes zgjedhore të…

2 orë ago

Arsovski: Me Radevin nuk priten ndryshime thelbësore në marrëdhëniet Maqedoni-Bullgari

Analisti politik Petar Arsovski vlerësoi se nuk duhen pritur ndryshime thelbësore në marrëdhëniet me Bullgarinë,…

2 orë ago