Shtëpia e Halim Bej Derallës, djalit të madh të Mehmet Pashë Derallës në Tetovë, vazhdon të mos jetë një muze, pavarësisht premtimeve të përsëritura nga të gjitha garniturat politike.
Shoqata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore “Huta” ka kërkuar që ky objekt të shndërrohet në muze për familjen Deralla.
Kërkesën e kanë përcjellë në qeveri, e cila u ka thënë se kompetencat për këtë i ka komuna, e këta të fundit u kanë thënë se fillimisht objekti duhet tu jepet në dorëzim nga qeveria meqë për momentin i njëjti është në shfrytëzim nga Universiteti i Tetovës.
“Si përfundim ende nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret nga asnjëri institucion i lartpërmendur drejt avansimi të kësaj çështje jetike për qytetarët e Tetovës dhe trashëgiminë e tyre. Së fundmi ju urojmë festat e Nëntorit duke shpresuar se në të ardhmen do kemi mundësinë ti festojmë më me dinjitet në vendin adekuat”, tha Nderim Limani
Nga Komuna e Tetovës thonë se procedurat janë kah fund. Kanë marrë pëlqim nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Kadastrës, ndërsa po presin pëlqime nga Transporti.
“Presim edhe pëlqimin e fundit nga ana Ministrisë së Transportit dhe Lidhjes dhe pastaj dhe vijojnë procedura që e njëjta të hyjë në pikë të rendit të ditës në seancë qeveritare dhe përfundimisht ajo shtëpi ti kthehet komunës së Tetovës dhe më pas të shndërrohet në qendër kulturore multifunksionle ashtu edhe siç e ka destinimin, por edhe siç e kanë kërkuar shoqatat jo qeveritare dhe qytetarët e Tetovës”, deklaroi Albi Qamili. (Tv21)



