Japonezet e kanë kthyer larjen e flokëve në një ritual, një moment pothuajse meditativ kushtuar vetes
Në një vend ku bukuria konsiderohet vazhdim i harmonisë shpirtërore, mënyra se si kujdesesh për flokët pasqyron lidhjen me trupin dhe ekuilibrin e brendshëm. Prandaj flokët e tyre duken gjithmonë të ushqyer, të shëndetshëm e plot shkëlqim edhe kur nuk harxhojnë asnjë minutë për stilizim.
Sekreti qëndron te teknika, jo te shamponi
Sipas parukieres Maria Roberts, themeluese e sallonit Madart x Studio 25 në Spanjë, metoda japoneze e larjes së flokëve nuk ka të bëjë vetëm me pastërtinë, por me vëmendjen dhe kujdesin.
“Në Japoni, shamponi aplikohet dy herë, herën e parë për pastrim dhe herën e dytë për ushqim dhe stimulim të rritjes së flokëve,” shpjegon Roberts.
Gjatë këtij procesi, parukierët përdorin dy furça silikoni, një në secilën dorë, dhe me lëvizje masazhuese aktivizojnë qarkullimin e gjakut në lëkurën e kokës. Masazhi fillon nga zverkut drejt majës së kokës, me lëvizje të lehta rrethore. Ky proces jo vetëm që nxit rritjen e flokëve, por edhe ul stresin e tensionin, duke e kthyer larjen në terapi për trupin dhe mendjen, transmeton Telegrafi.
Vaji para shamponit – hapi që nuk duhet anashkaluar
Para se të aplikojnë shamponin, japonezet përdorin vajra natyralë bimorë, zakonisht vaj kamelie, susami ose jojobe. Këto vajra mbrojnë flokun, balancojnë yndyrën dhe ruajnë lagështinë.
Si thahet flokët sipas parimit japonez
Tharja është po aq e rëndësishme sa larja. Japonezet kurrë nuk i fërkojnë flokët me peshqir. Në vend të kësaj, i mbështjellin me një peshqir mikrofibre ose me një bluzë të vjetër pambuku, për të përthithur lagështinë pa i dëmtuar fijet.
“Spa” për flokët – 40 minuta relaks për trupin dhe shpirtin
Në Japoni ekzistojnë spa qendrash të veçanta për flokët, ku vetëm procesi i larjes zgjat 30 deri në 40 minuta. Ky ritual përfshin masazh të skalpit, kompresa të ngrohta, aromaterapi dhe muzikë qetësuese. Ideja është e thjeshtë: kur kujdesesh për lëkurën e kokës, kujdesesh edhe për mendjen.
Japonezet besojnë se “flokët kanë energjinë e tyre” dhe duhen trajtuar me respekt. Prandaj kujdesi i tyre nuk është sipërfaqësor, por një bashkim i teknikës, filozofisë dhe disiplinës.
Nëse dëshironi flokë të shëndetshëm, të dendur dhe me shkëlqim, harroni nxitimin. Metoda japoneze ju mëson se flokët janë vazhdim i kujdesit ndaj vetes. Çdo lëvizje, çdo pikë vaji dhe çdo minutë masazhi kanë rëndësi.
Siç thonë në Japoni: “Kur kujdesesh për lëkurën e kokës si për fytyrën tënde, flokët do të të shpërblejnë shumëfish.”




