Rezervat zyrtare valutore të Maqedonisë së Veriut në fund të muajit tetor kanë arritur në mbi 4.8 miliardë euro (4,843.2 milionë euro). Krahasuar me muajin shtator, kjo paraqet një rritje prej 120.5 milionë euro, njofton Banka Popullore, informon PressOnline.al
Pjesa më e madhe e rezervave valutore, 71.1 për qind, janë të investuara në letra me vlerë, 15.9 për qind në ar monetar, ndërsa 13 për qind në valuta dhe depozita.
Në krahasim me tetorin e vitit 2024, kur rezervat valutore arrinin në 4,975.6 milionë euro, ato janë më të ulëta për 132.4 milionë euro.
Rezervat valutore janë nën kontrollin dhe menaxhimin e autoritetit monetar, me funksion kryesor mbrojtjen e ekonomisë nga goditjet e jashtme, shlyerjen e rregullt të borxhit të jashtëm publik, si dhe ndërhyrjet në tregun valutor. Niveli i tyre ndikon drejtpërdrejt në pozicionin ndërkombëtar të shtetit dhe në aftësinë e tij për t’u përballur me sfida ekonomike të jashtme.



