Studimi i parë që rendit ndikimin e antidepresantëve në trupin e njeriut

featured
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Një studim i ri britanik ka renditur për herë të parë efektet fizike të antidepresantëve, duke zbuluar dallime të mëdha mes barnave që ndikojnë në peshë, tension dhe ritëm zemre

Për herë të parë, një studim shkencor ka renditur efektet fizike të antidepresantëve, duke zbuluar ndryshime të mëdha midis barnave të ndryshme që përdoren për trajtimin e depresionit. Hulumtimi, i zhvilluar nga King’s College London dhe Universiteti i Oxfordit, analizoi 151 studime me më shumë se 58 mijë pacientë që përdornin 30 lloje të ndryshme antidepresantësh gjatë tetë javëve të para të trajtimit. Sipas një raportimi nga BBC, rezultatet, treguan se disa ilaçe mund të shkaktojnë shtim në peshë deri në 2 kilogramë, ndryshime të rrahjeve të zemrës deri në 21 për minutë apo luhatje të ndjeshme në tensionin e gjakut.

Agomelatina, për shembull, u shoqërua me ulje në peshë prej rreth 2.4 kilogramësh, ndërsa maprotilina me shtim deri në 2 kilogramë. Fluvoxamina ngadalësonte ritmin e zemrës, ndërsa nortriptilina e përshpejtonte ndjeshëm.

Studiuesit theksojnë se këto dallime nuk janë vetëm statistikisht domethënëse, por mund të kenë ndikim klinik real, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës ose goditje në tru. Kjo tregon se pacientë me të njëjtën diagnozë mund të kenë nevoja shumë të ndryshme në varësi të shëndetit të tyre fizik dhe tolerancës ndaj barnave. Sipas Toby Pillinger nga King’s College London, ndryshimet fizike ndodhin brenda vetëm tetë javësh, gjë që tregon rëndësinë e zgjedhjes së kujdesshme të antidepresantëve. Ai thekson se qëllimi nuk është të frikësohen pacientët, por të fuqizohen për të marrë vendime të informuara në bashkëpunim me mjekun e tyre.

Në përgjithësi, klasa më e përdorur e antidepresantëve, SSRI-të – që përfshijnë paroksetinën, citalopramin, escitalopramin dhe sertralinën rezultoi të ketë më pak efekte anësore fizike. Megjithatë, fluoksetina (e njohur si Prozac) ishte e lidhur me ulje në peshë, por edhe me rritje të tensionit të gjakut.

Profesor Andrea Cipriani nga Universiteti i Oxfordit theksoi se 85% e recetave në Mbretërinë e Bashkuar përqendrohen te vetëm tre ilaçe – citalopram, sertralinë dhe fluoksetinë për shkak të kostos së tyre të ulët, por gjetjet e reja tregojnë se shumë pacientë mund të përfitojnë nga trajtime më të personalizuara. Aktualisht, studiuesit po zhvillojnë një mjet falas online që do t’u ndihmojë mjekëve dhe pacientëve të zgjedhin ilaçin më të përshtatshëm për çdo rast. Nëse ka përdorim afatgjatë të tyre, rreziqet mund të jenë edhe më të mëdha, sidomos për pacientët me depresion kronik, pasi ndryshimet fizike të vërejtura në periudhën e shkurtër mund të përforcohen me kalimin e kohës.

Studimi i parë që rendit ndikimin e antidepresantëve në trupin e njeriut
|

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *