Kryetari aktual dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Gostivarit, Valbon Limani, ka prezantuar një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të mandatit të ri katërvjeçar – “Urën e Harmonisë”, që do të ndërtohet mbi lumin Vardar.
Në video-mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Limani tha se ky projekt modern do të shërbejë si një lidhje e re mes lagjeve të qytetit dhe do të lehtësojë ndjeshëm komunikacionin urban.
“Këtu pas nesh do të kemi një urë të re mbi lumin Vardar – Ura e Harmonisë. Ajo do të ketë katër korsi për automjete, dy shtigje për biçikleta dhe trotuare të sigurta për qytetarët tanë,” deklaroi Limani, përcjell PressOnline.al
Sipas tij, “Ura e Harmonisë” nuk do të jetë vetëm një investim në infrastrukturë, por një simbol i bashkimit dhe zhvillimit të Gostivarit, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen ekonomike të qytetit.




