29 projekte të përfunduara dhe fondet për 50 të tjera – Kryetari i Gostivarit prezanton planin katërvjeçar

featured
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Kryetari aktual i komunës së Gostivarit dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për mandatin e ardhshëm katërvjeçar prezantoi sot në një konferencë për shtyp një plan të gjerë zhvillimor për qytetin. Gjatë paraqitjes së tij para mediave dhe qytetarëve, ai theksoi sukseset e deritanishme dhe prezantoi një sërë projektesh të reja që synojnë të transformojnë infrastrukturën, ekonominë dhe jetën shoqërore në Gostivar.

“Në pesëdhjetë muajt e udhëheqjes sime si ushtrues detyre i kryetarit të komunës së Gostivarit, kemi realizuar njëzet e nëntë projekte, ndërsa për rreth pesëdhjetë projekte të tjera kemi siguruar fondet e nevojshme,” – u shpreh kryetari, duke theksuar se ka ardhur koha për një kapitull të ri për planifikim afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm të Gostivarit.

Projekte infrastrukturore madhore

Një nga projektet kryesore të paralajmëruara ishte “Ura e Harmonisë”, një vepër moderne mbi lumin Vardar që do të lidhë lagjet dhe do të lehtësojë komunikacionin urban. Sipas kryetarit, ura do të ketë katër korsi për automjete, shtigje për biçikleta dhe trotuare të sigurta për këmbësorë.

Një tjetër projekt ambicioz është transformimi i bulevardit kryesor, i cili do të shndërrohet në zemrën urbane të qytetit, me ndriçim bashkëkohor, hapësira të gjelbra, shtigje për këmbësorë dhe biçikleta, si dhe zona sociale për të rinjtë dhe familjet.

Për të adresuar problemin e parkimit, komuna planifikon ndërtimin e një parkingu nëntokësor pranë ndërtesës komunale, me kapacitet prej 120 automjetesh, në një sipërfaqe prej 1,190 metrash katrorë, të pajisur me teknologji moderne kontrolli dhe siguri.

Rilindja e qendrës së qytetit

Në fokus është edhe qendra e qytetit, që do të rilindë si një hapësirë e re moderne. Kryetari sqaroi:

“Sipërfaqja e përgjithshme e sheshit do të jetë 6,310 metra katrorë, prej të cilave 1,362 metra katrorë janë hapësira të gjelbra dhe mbi 110 metra katrorë do të jenë të destinuara për kënde lojrash për fëmijë,” – përcjell PressOnline.al.

Në këtë zonë do të ndërtohen gjithashtu 290 vendparkime, të cilat së bashku me parkingun nëntokësor do të sjellin një total prej 345 vendparkimesh të reja në qendër të qytetit.

Zhvillimi ekonomik dhe mbështetja për rininë e gratë

Pjesë e rëndësishme e planit është edhe politika për zhvillim ekonomik lokal. Kryetari paralajmëroi lehtësime të konsiderueshme për bizneset e reja:

“Taksat komunale për kompanitë e reja do të reduktohen nga 6,000 denarë në vetëm 1,000 denarë për pesë vitet e para të funksionimit,” – deklaroi ai.

Gjithashtu, për të mbështetur rininë, komuna do të ofrojë 60,000 denarë për çdo të ri apo të re deri në 30 vjeç që dëshiron të nisë një start-up, ndërsa çdo vit do të përkrahen 30 nisma rinore.

Një mbështetje e veçantë është planifikuar edhe për gratë:

“Çdo vit, tridhjetë vajza dhe gra që do të aplikojnë për mbështetje, do të përfitojnë nga 60,000 denarë për nismat e tyre të biznesit,” – njoftoi kryetari, përcjell PressOnline.al.

Mbështetje për të moshuarit dhe arsimi

Një element emocional i prezantimit ishte projekti për gjyshërit dhe pensionistët, të cilët shpesh kujdesen për nipërit ndërsa prindërit janë në punë. Komuna do të ndajë 30,000 denarë në vit për secilin prej tyre si një formë mbështetjeje.

Në fushën e arsimit, plani përfshin krijimin e “ambasadorëve të sigurisë dhe respektit” në çdo shkollë, nxënës të përzgjedhur nga mësuesit dhe psikologët për të luftuar bullizmin dhe për të ndërtuar një komunitet më të bashkuar shkollor.

“Nxënësit ndikojnë më shumë tek njëri-tjetri se të rriturit. Viktimat ndihen më të sigurta kur kanë bashkëmoshatarë që i mbrojnë,” – theksoi ai, duke e konsideruar arsimin si investimin më të rëndësishëm për të ardhmen.

Limani u shpreh se këto projekte nuk janë vetëm “vizatime mbi letër”, por “dëshmi se Gostivari ka potencial, por mbi të gjitha ka njerëz që e duan me zemër.”

Me këtë plan ambicioz katërvjeçar, Aleanca Kombëtare për Integrim synon t’i japë qytetit të Gostivarit një transformim të thellë urban, social dhe ekonomik.(PressOnline.al)

29 projekte të përfunduara dhe fondet për 50 të tjera – Kryetari i Gostivarit prezanton planin katërvjeçar
|

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *