Për tre muaj, qytetarët e Maqedonisë kanë kaluar mbi 22 milionë orë në telefon

featured
Press Online
10 Shtator 2025, 15:22

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, gjatë tremujorit të parë të vitit, kanë kaluar gjithsej 22,4 milionë orë në biseda telefonike, duke përdorur si telefonat mobilë ashtu edhe ata fiks. Sipas raportit të publikuar nga Agjencia për Komunikime Elektronike (AEK) dhe të analizuar nga portali pari.mk, vetëm përmes telefonisë mobile janë shpenzuar 1.327.208.067 minuta, që përkthehet në mbi 22 milionë orë, ndërsa në linjat fikse janë realizuar rreth 15,3 milionë minuta, apo afro 255 mijë orë, përcjell PressOnline.al.

Në përllogaritje mesatare, kjo do të thotë se çdo banor i vendit – nga më të vegjlit deri te më të moshuarit – ka kaluar rreth 12 orë në telefon për tre muaj, ose rreth 4 orë në muaj.

Në Maqedoni, numri i abonentëve të telefonisë mobile është më i madh se popullsia. Sipas të dhënave të AEK, gjatë tremujorit të parë janë regjistruar 1.941.996 abonentë aktivë, ndërsa popullsia e vlerësuar është 1.822.612 banorë. Përveç kësaj, në vend janë aktive mbi 450 mijë linja fikse.

Në tregun e telefonisë mobile, A1 mban vendin e parë me 47,7% të abonentëve, e ndjekur nga Makedonski Telekom me 46,7%. Mtel ka arritur në vendin e tretë me 3,8%, ndërsa Telekabel ka 1,34%.

Në anën tjetër, sa i përket konsumit të internetit përmes rrjeteve mobile, Makedonski Telekom kryeson me 64,07%, krahasuar me 35,93% të A1.

Në shërbimet fikse, Telekom mban 51,2% të tregut, ndërsa A1 rreth 43,3%.

Në garë për të hyrë në treg është kompania One Makedonija Telekomunikacii, pjesë e grupit hungarez 4iG, e cila ka dorëzuar ofertë në tenderin e shpallur nga AEK. Megjithatë, sipas autoriteteve, vendimi përfundimtar do të merret pas zgjedhjeve, pasi frekuencat mobile konsiderohen kapital shtetëror.

Operatori i ri pritet të nisë punën në fund të vitit 2026, gjë që sipas ekspertëve do të sjellë më shumë konkurrencë, cilësi më të lartë të shërbimeve dhe oferta të reja për përdoruesit. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter