Naim Saliu, anëtar i Këshillit Themelues dhe i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Demokratike, ka njoftuar sot largimin e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij nga kjo parti dhe rikthimin në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Saliu theksoi se ishte angazhuar në themelimin dhe udhëheqjen e Lëvizjes Demokratike me qëllimin për të avancuar pozitën e shqiptarëve në vend, sidomos në Shkup, por sipas tij, pas formimit të qeverisë me VMRO-DPMNE-në, proceset kanë marrë drejtim të kundërt.
“Pas formimit të qeverisë me VMRO-në, nuk është avancim, por degradim i plotë. Po ndodh fshirja dhe përçmimi i të gjitha arritjeve që shqiptarët kanë ndërtuar me mund dhe sakrifica gjatë këtyre 20 viteve,” shkroi ai.
Saliu theksoi se vendimi i tij për t’u rikthyer në BDI, bashkë me bashkëpunëtorët, synon të ndalë “përdhosjen e arritjeve” dhe të avancojë më tej pozitat e shqiptarëve. “Ky është një vendim i menduar thellë, por mbi të gjitha i ndershëm ndaj vetes, bashkëpunëtorëve dhe kombit tim,” përfundoi ai në shkrimin e tij në rrjetin social Facebook.


