Cilët ishin shkaktarët e tjetërsimit të flamurit tonë

featured

NGA SEJDO HARKA

. . . “Ato, që e mbrojnë një komb nga erozionet shekullore, janë: marrëveshja, toleranca dhe dëshira për të qenë bashkë.”

Mosmarrëveshja e shqiptarëve me vetveten, është një dukuri negative, që vjen nga thellësitë e shekujve. Ajo, për fat të keq, në situata të veçanta, ka brejtur vetëdijen e Kombit, ka sëmurur shpirtra, ka zbehur vizione dhe ka lëkundur shpresa, të cilat kanë pjellë përçarje, kafshim të trojeve dhe proces vonimi. Frytet e hidhura të kësaj plage të vjetër, e kanë ngacmuar Gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, të shkruajë sprovën letrare “Mosmarrëveshja mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Ky libër është me vizione shumëplanëshe, është sa historik, aq dhe letrar sa politik, aq filozofike, sa dhe enciklopedike, aq dhe universale, sa tërheqës, aq dhe aktual. Nëpërmjet tij, Kadareja tregon se jo vetëm është i papërsëritshëm, por dhe një nga luftëtarët më të mëdhenj për mbrojtjen e kulturës, identitetit dhe integritetit europian të Shqipërisë. Falë kulturës së gjerë dhe talentit të rrallë, autori, duke shfrytëzuar historinë dhe mitologjinë, kulturën dhe filozofinë, gjuhësinë dhe letërsinë, folklorin dhe etnografinë shumëshekullore, ka mundur t’i japë lexuesit argumente të pakundërshtueshme, për dëmet që i kanë sjellë Kombit mosmarrëveshjet e shqiptarëve me vetveten. Kjo dukuri vetëshkatërruese, fatkeqësisht, ndihet gjallë edhe sot e kësaj dite.

Prandaj, ky libër tingëllon tepër aktual. Në brendinë e tij kacafyten e mira me të keqen, protesta me nënshtrimin, liria me skllavërinë, shpresa me agoninë dhe marrëveshja me mosmarrëveshjen. Pjellë e mosmarrëveshjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve, në raport me vetëveten, kanë qenë: Tjetërsimi i Flamurit dhe i Himnit Kombëtar, përbaltja e heronjve, zbehja e luftës, kulturës dhe prirja për të shtrembëruar të vërtetën për gjenezën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Goditja e parë ndaj një kombi, fillon nga ajo ndaj simbolit të shtetit, që është flamuri dhe himni i tij. Është kjo arsyeja që simboli i Kombit, është “arnuar” pesë herë. Në periudhën e sundimit italian, mbi kokat e shqiponjës së flamurit të kryehershëm princëror, u vendosën sëpatat e Liktorit romak. Ndërsa në periudhën e diktaturës komuniste, mbi kokat e atij shpendi të fisshëm dhe hijerëndë, do të rrinte si shpata e Demokleut, ylli me pesë cepa, për t’i bërë hije shtypjes së lirisë dhe skllavërimit shpirtëror të njeriut. Vetëm në flamurin e sotshëm, ky shpend kryelartë e ndjen veten të çliruar nga barra e ngarkesave të tepërta.

TJETËRSIMI I FLAMURIT

Shkaktarë të tjetërsimit të flamurit tonë, kanë qenë mosmarrëveshjet e shqiptarëve me vetveten dhe flirti i tyre me të huajt, robërinë dhe inferioritetin. Kjo mosmarrëveshje, sipas Kadaresë, shpesh ka ndrydhur edhe përmbajtjen e atyre vargjeve të bukura të Aleks Drenovës, që bashkë me atë muzikë tepër solemne, më 28 Nëntor të vitit 1912, do ta vulosnin Pavarësinë, në Vlorë. Trysni ushtruan edhe ndaj Himnit të Flamurit. Pjesë të tij, si p. sh. vargjet: “Se zoti vetë e tha me gojë /Se kombet shuhen përmbi dhe /Por Shqipëria do të rrojë / Për të, për të luftojmë ne!”, herë këndoheshin e herë jo. Janë ato vargje, të cilat Migjeni i quan “Kënga e pakëndume”. Ky himn do të qe i përkryer, shkruan I. Kadare, sikur të mos kishte atë profetësinë e keqe për popujt e tjerë të botës. Pyetjes retorike, se pse u ruajtën ato vargje në himnin e periudhës së diktaturës komuniste, autori i përgjigjet:”Ai himn i mbrapshtë ruhej, sepse nuk e mbronte askush”. Më poshtë vazhdon: “Si fëmija, që duke ecur përpara territ, për të mposhtur friken, nis e këndon me zë të lartë, ashtu dhe Hymni në gojën e shqiptarëve…shpreh dyshimin e vjetër, nëse do të bëhej, a s’do të bëhej ky komb”. Nga kjo pyetje retorike, lindin një mori përgjigjesh: Shqipëria do të bëhet ;…nuk do të bëhet;…do të bëhet për të çuar në vend ëndrrën e shqiptarëve, për inat djallit dhe të shqiptarëve, . . për të plasur shqiptarët…”(19)

Besimi se Shqipëria do të rronte, kur të tjerët do të shuheshin, kishte të ngjarë ta fuste frikën, se ishin të tjerët që do të rronin, në kohën që ajo do të shuhej. Prandaj, thelbi i asaj strofe të fshehtë mund të lexohej ndryshe: “Se Zoti vetë e tha me gojë /Se kombet s’shuhen përmbi dhe /Por Shqipëria s’do të rrojë /se atë s’e duam ne?!”. Rilindësit tanë e kishin kuptuar që Shqipëria, me verbërinë, zgjimin e vonuar dhe flirtin me robërinë dhe mosmarrëveshjen, ishte kthyer në vetëvrasëse. Prandaj, shpesh e qortonin atë, nëpërmjet vargjeve të tillë, si ato të Naimit:”Gjithë kombet gëzojnë /ti Shqipëri, pse s’gëzon”? Por ata kurrë s’e denigruan, sepse ishin misionarë të shpresës. Ata i mbysnin dhimbjen, vajin dhe klithmat, për të ushqyer te shqiptarët ëndrra të bukura.

“PROLOG ME DJALLIN”

Në pjesën “Prolog me Djallin”, autori i jep përgjigje pyetjes, se ç’ka ndodhur me Shqipërinë, në njëqind vjetët e fundit. Në fillimet e shekullit të ri, para Shqipërisë shfaqen dy rrugë: E para, ishte shpallja e Pavarësisë, flamuri, himni, rruga e lirisë, e zgjedhur dhe e frymëzuar nga Rilindësit. Ndërsa, rruga e dytë, e kërkuar nga Haxhiqamilët e kohës. Ajo ishte e zymtë, sepse kërkonte kthimin në terrin e robërisë turke. Në këtë betejë fitoi rruga e Pavarësisë. Haxhiqamilizmi u gjunjëzua. Megjithatë, kundërshqiptarizmi rronte si gjarpri nën gur. Bota tinzare luante me flirtin e shqiptarëve, me robërinë. Për fat të keq, në frontin antishqiptar, nuk kanë munguar vetë shqiptarët. Kjo shfaqet dhe në ndërrimin e vizioneve të largëta kombëtare, me interesat e ngushta egocentriste të çastit. Qëndrime të tilla të gabuara të shqiptarëve vërehen edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Për ta argumentuar këtë mendim, mjafton të përmendim faktin se si, armiqësia proverbiale shqiptaro-sllave, u gdhi një mëngjes në të kundërtën e vetë. Shqipëria dhe Jugosllavia ishin bërë si dy motra binjake. Koha tregoi se kjo” motër “e donte Shqipërinë sa më pak europiane, aq më shumë osmane. “Një flirt i fshehtë shqiptaro –jugosllav, kish bërë që në Shqipëri emri Kosovë të qe i ndaluar, kurse Jugosllavia kujdesej që Kosova dhe Maqedonia të mbeteshin nga Lindja.

Për fat të keq, thekson Kadareja, flirte të tilla të politikës shqiptare kanë vazhduar edhe në vitet e demokracisë. Lidhja e Shqipërisë me Lidhjen Islamike, është një fakt që tregon vazhdimësinë e këtij flirti. Teza e frikës së një Shqipërie të madhe, ka nxitur përçarjen dhe largimin nga Europa. Thirrjet për bashkimin me Europën, dilerantët i ka ndarë në dy palë, në kombëtaristë dhe rimohues. Të rrallë ishin ata, që e kuptonin se, para se të ishin proosmanë, në të vërtetë, ishin kundëreuropianë. Rimohues nga Tirana dhe Prishtina, theksohet në libër, ngulnin këmbë, se faktori osman e kishte mbrojtur Kombin shqiptar nga gllabërimi sllav. Ndërsa kundërshtarët e tyre, turkofobët, pohonin të kundërtën.

MOSMARRËVESHJET

Mosmarrëveshja me vetveten e gjen shprehjen te luhatjet naive shpirtërore: “Të bëhem me grekun, për inat të osmanëve, ose me osmanët për inat të grekëve dhe serbëve”. Politikanët tanë, pa dallim ngjyre, shkruan autori, edhe në ditët e sotshme, për të mos i mërzitur vizitorët turq, heqin bustin e Skënderbeut nga hollet e pritjes. I dhimbshëm, por tepër kuptimplotë, është dialogu i Skënderbeut me Djallin, në dramën e Gj. Fishtës, “Nën hajat të Parisit”, shkruar në vitin 1914. “Ajo që Djalli, edhe pse Djall nuk guxoi t’ia thotë në sy Skënderbeut, ishte më e hidhur se mortja: “Gjergj, shqiptarët duan të të rrëzojnë!”. Për çudi, shkruan Kadareja, ky lajm u shfaq më i fuqishëm në vitin 2010, se sa në vitin 1914. Tashmë, jo turqit osmanë, me taborret e pafundme të jeniçerëve, jo grekët, që duke tundur kryqin mallkonin çdo gjë shqiptare, jo serbët fanatikë, që së bashku me kryqin ngrinin thikat, por këtë herë vetë shqiptarët(rimohuesit), donin ta përmbysnin simbolin e pathyeshmërisë. Dilemën, në se do të bëhet Shqipëria ose jo, e zgjidh Zoti, i cili thotë: “Shqipëria do të bëhet, për inat të Djallit dhe të shqiptarëve!” Për Fishtën, Shqipërinë nuk e kishte harruar Zoti, por për fat të keq s’e kish harruar as Djalli. Siç duket, Fishta ishte i pari, që e kishte kuptuar enigmën e Himnit tonë, që do të ishte thelbi i enigmës shqiptare. Kjo enigmë, thekson autori, do të marrë udhën e lëngimit 5-6 shekuj më parë, kur në kryeqytetin turk, doli lajmi i keq, se Gjenerali më i famshëm i ushtrisë osmane(Gj. Kastrioti), i kishte kthyer krahët shtetit osman. Për të, u shkrua një biblotekë me libra, me të vërteta dhe të pavërteta. Me dhjetëra herë, osmanët, grekët, italianët e sllavët, bile dhe vetë shqiptarët, ishin përpjekur ta rrëzonin, por ai ringrihej më i fortë. Të gjithë pyesin veten :”Ç’e mban Heroin në këmbë?!”Ai, thekson autori, edhe jetën e kishte pasur kundra, por më kundër vetes kishte pasur vdekjen. Mbi të gjitha, i mungonte varri. Çlëndëzimi i tij ishte tepër poshtërues.

Pas rënies së Shqipërisë, Skënderbeu mbeti pa Atdhe, pa popull, pa arsye për t’u kujtuar. Shqipërinë s’e shpëtoi dot nga osmanët, por Europën e zgjoi nga gjumi vonues. Në këtë libër Kadareja i jep përgjigje pyetjes, se pse Europa s’e harroi Skënderbeun, në kohën kur Shqipëria kishte kohë që nuk e kujtonte. Koha kishte treguar se Ai, pa Shqipërinë, jetonte, ndërsa Shqipëria nuk bënte dot pa të. Shtatorja e atij, që i dha emër sheshit më të madh të Francës, shtyhej me bërryla prej diktatorit, nga qendra e Tiranës. Ndërsa antikastriotët e Shkupit e quanin, horr, agjent të Europës, bukëshkalë të Sulltanit, antishqiptar, etj.

VONIMI I SHQIPËRISË

Më poshtë, autori analizon procesin e vonimit të Shqipërisë, duke përcaktuar balancën ndërmjet fajit të të tjerëve dhe atij të vetë shqiptarëve. Thelbi i çoroditjes së shqiptarëve ka qenë dyshimi, nëse Turqia osmane kishte qenë më pak e keqe, se sa fqinjët. Kishte prej atyre, që e kishin urryer këtë gërdallë dhe që kërkonin ndarjen prej saj, siç kishte të tjerë që e quanin atë mburojë ndaj synimeve gllabëruese të jugosllavëve dhe grekëve. Një mosmarrëveshje e tillë, ka nxitur flirtin e shqiptarëve me robërinë. Ky flirt e gjen shprehjen në pazare të tilla të pashpallura: “Më jep kryqin, të të jap tituj e grada; mbaj kryqin, më jep gjuhën shqipe; mbaj kishën, më fal Gj. Kastriotin; merr tituj e prona, flak emrin shqiptar!?”. Dhe, më në fund, aq sa do të përfitosh, aq do të ndëshkohesh. Prej këtej vjen konkluzioni logjik, që nxjerr I. Kadare: “Shqiptarët, në shekuj, kanë qenë sa njerëz të privilegjuar, aq dhe të ndëshkuar”.

Nga raporti ndërmjet marrëdhënieve të drejta dhe allishverisheve, lirisë dhe robërisë, shqiptarët, theksohet në këtë libër, janë ndarë në ata, që e ruajtën edhe Shqipërinë edhe kryqin, në ata që e flakën kryqin për gradat dhe armët dhe në ata, që u shitën këmbë e kokë pa kushte. I. Kadare, nëpërmjet magjisë së fjalës poetike të Naimit, Çajupit, Fishtës, Nolit…, u jep përgjigje pyetjeve, se kush na vriste natën dhe na qante ditën, kush na deshte, kur s’na deshnin, kush na qante, kur na qeshnin… Të ashtuquajturit “rimohues”, nëpërmjet tezës së çmitizimit të figurës së Skënderbeut, kanë synuar të hedhin baltë mbi këtë figurë, që ka mbetur simboli i kombit. Kanë arritur deri atje, sa ta quajnë bukëshkalë, gjakmarrës, antishqiptar, hajdut kuajsh, agjent të Italisë, etj. Prej tyre, në kohën, kur Kosova gjakosej nga serbët, shkruhej se nëna e Skënderbeut ishte serbe. Nëpërmjet të këtij shtrembërimi të së vërtetës, përçohej pseudoideja se jo vetëm trojet e Kosovës janë serbe, por edhe kryeheroi i Shqipërisë ishte serb! Pikërisht në këto çaste kritike për Kombin, shqiptarët ndaheshin në rimohues dhe kombëtaristë. Mbrojtja e Kombit nga kombëtaristët, çmitizuesit e kanë quajtur patriotizëm, ose strehën e fundit të maskarenjve. Mosmarrëveshje të tilla, në dëm të interesave të Kombit, e kanë sëmurur Shqipërinë. Ndotja morale, thekson autori, po zëvendësonte të keqen, që sollën së bashku sundimi osman dhe diktatura komuniste. Para njerëzve shtrohej alternativa: “Ta duam Shqipërinë në mënyrë primitive, apo ta shesim në mënyrë moderne?”.

MITI DHE HISTORIA

Autori i librit kërkon të vërë raporte të drejta ndërmjet mitit dhe historisë. Për të, vlerat e tyre varen nga përkryerja. “Siç ka mite vrastare, – thekson ai, -ka dhe histori të rreme. Kur ata janë të përkryer, i shërbejnë njeri-tjetrit. Sëmundja e shtrembërimit të realitetit te ne, për fat të keq, ka lënë enigma, shumë ngjarje e probleme të rëndësishme për shoqërinë, kombin dhe historinë e tij. Historianët, të ndodhur përballë tymnajave dhe presioneve politike, kanë deformuar historinë. Albanologët e rinj kanë arritur të shtrembërojnë të vërtetën edhe për lëvizje epokale, si ajo e Rilindjes Kombëtare, duke e quajtur atë “lëvizje të kokave të prera dhe e flamurëve të përgjakur”. Albanologët e rinj, edhe prejardhjen e gjuhës shqipe nga ilirishtja, e quajnë mit . Po, edhe sikur të qe mit, ai ka zënë rrënjë në shpirtin e popullit shqiptar. Thelbi i këtij miti, që në fakt përputhet me të vërtetën, është “Mos më vrit, mos më shpërngul, sepse jam në tokën time”!

Çmitizuesit nuk kanë kursyer as Nënë Terezën, duke mos e quajtur shqiptare. Shtrembërimet e tyre kanë qenë në unison me ato të serbëve, të cilët shqiptarët i kanë quajtur raja, pa emër, pa histori, pa letërsi, pa gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi…, pa të gjitha ato, që njeriun e bëjnë njeri! “Kthimi i historisë në mit, -shkruan Kadareja, -është fillimi i së keqes. E keqja e vërtetë do të ishte, procesi i kundërt, ai i rikthimit të mitit në histori. Më poshtë, autori i jep përgjigje pyetjes: “Fiton apo humbet Skënderbeu nga miti?” Në të vërtetë, Heroi ynë Kombëtar, jo vetëm që s’fiton gjë nga miti, por dhe humbet shumë, sepse fitoret e tij kanë fshehur humbjet, ndërsa humbjet, fitoret. Ekzagjerimi i kalit dhe shpatës, ia errësojnë forcën e mendjes. Ndërsa pena të mbrapshta, si ajo e Saidin Turkut, shkruante se Skënderbeu ishte bërë simbol i mbrapshtisë dhe i së keqes. Prandaj Shqipëria dhe Evropa duhet ta harronin. Por, pas pesë shekujsh ferri, Heroi ynë ishte ngjallur për së vdekuri.

RACA DHE TRUALLI

Për I. Kadarenë, Kombi nuk është vetëm gjaku dhe balta(raca dhe trualli), të lëvduara aq shumë në këngë e poezi; madje, as gjuha, as flamuri, as feja, as kujtimet e përbashkëta. Ai, që e mbron një komb nga erozionet shekullore, është vullneti për të qenë bashkë. Por, fatkeqësisht, ky element i domosdoshëm për vazhdimësinë dhe forcimin e qëndresës së një kombi, në periudha të caktuara, është zbehur. Lëkundja e këtij vullneti, ka qenë për kombin si një tërmet i ngadaltë, por tepër i zgjatur e me pasoja fatale për të. Pasojë e mungesës së këtij vullneti janë dhe erozionet morale dhe shpirtërore. Pyetjes retorike, se është dobësimi i këtij vullneti, që sjell bjerrjen morale, apo kjo e fundit ndikon për dobësimin e vullnetit për të qenë bashkë, Kadareja i përgjigjet, se është bashkëveprimi i këtyre dukurive, që pjell pasoja negative për shoqërinë e një kombi. Pjellë e një kryqëzimi të tillë është morali i shprishur dhe korrupsioni, si një dukuri që shkon duke u thelluar. Frakturat morale, zbehja e vullnetit për të qenë bashkë, mosmarrëveshjet dhe mungesa e bashkëpunimit, e çon kombin në vetshkatërrim. Pasojat vetshkatërruese bëhen më të rrezikshme, kur erozioni shpirtëror dhe moral prek klasën politike, atë që duhet të ishte roja e parë, së paku, për çështjen kryesore të kombit. Po pse sëmuret e para, klasa politike?!Së pari, kjo dukuri negative shqiptare, me rrënjë të vjetra, ushqehet nga etja e ethshme e politikanëve dhe pushtetarëve për pushtet dhe para. Ata hyjnë në politikë, jo për t’i shërbyer vendit dhe popullit të vetë, por për t’u pasuruar, mundësisht, brenda ditës. Të mbërthyer pas karriges dhe pas kartës së imunitetit, ata bëhen të papërgjegjshëm para njerëzve dhe kombit. Për ta ruajtur karrigen, herë bëhen shurdhmemecë, herë shtiren si njerëz, që përgjërohen për Kombin e popullin dhe herë si padronë, që me pushtetin e tyre bëjnë ç’të dojë me njerëzit dhe interesat e vendit. Egua për pushtet dhe etja për t’u pasuruar padrejtësisht, u ka gërryer moralin dhe shpirtin. Për ta, forca është pushteti i pakufishëm, morali është pangopësia, liria është dhuna, shpirti është pashpirtësia, njeriu është antinjeriu. Mungesa e dëshirës për të qenë bashkë dhe shitja e shpirtit, për pasojë, sjell shitjen e Kombit. Pas rrëzimit të komunizmit, Shqipëria u ndodh në portat e Europës e papërgatitur. Ajo shfaqej si një rrangallë, mbi një rrugë të re. Ishte shkatërruar nocioni i bashkëjetesës, për pasojë, ishte varrosur vullneti për të qenë bashkë.

Një komb që s’do vetveten, thekson Kadareja në këtë libër, s’ka se si t’i dojë të tjerët. Jo gjuha e urrejtjes, por dashuria e shëndetshme ndaj njerëzimit, Atdheut dhe kombeve të tjera, do ta shpëtojë shoqërinë nga përplasjet e panevojshme. Vetëm një klasë politike, që ka gëlltitur çorbën e prishur të pushtetit dhe parasë, e thërret vdekjen ta shpëtojë nga bataku, ku është zhytur. Dhe kur?! Në një kohë, kur Europa ka hapur krahët për të na mirëpritur në gjirin e saj, të zhvillimit dhe vëllazërimit. Të thërrasësh vdekjen, për të mbuluar me qefinin e saj, paaftësinë për t’u marrë vesh dhe “barkun shekullor të pangishëm”, është mëkat, që nuk do ta tresë as dheu. T’i frysh patriotizmit të rremë, përballë erës europiane, do të thotë ta largosh Kombin dhe Flamurin nga rruga e përparimit të njerëzimit. Mosmarrëveshjet, që fabrikohen nga “instikamet politike”, nuk sjellin gjë tjetër, veçse kthim mbrapa. Dhe këtë kthim mbrapa e paguan Kombi dhe populli i pambrojtur. Ndërsa verigat e klanet politike majmen çdo ditë, për t’u ndeshur në belegje të reja.

Që Shqipëria të ecë mbi shinat, që e çojnë në zemër të Europës, duhet që liria e vërtetë të çlirohet nga skllavëria, toleranca nga dhuna, dashuria nga urrejtja, drita nga verbëria, guximi nga frika, ndershmëria nga pandershmëria, e vërteta nga gënjeshtra, sinqeriteti nga hipokrizia, drejtësia nga padrejtësia, vlerat nga antivlerat, njeriu nga antinjeriu, mendimi i arsyeshëm nga arbitrariteti, marrëveshja nga mosmarrëveshja dhe jeta nga vdekja.

Cilët ishin shkaktarët e tjetërsimit të flamurit tonë
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *