Babai hoxhë, vajza hafize – një histori përkushtimi nga familja Murati

featured

Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe respekt të thellë për dijen fetare, në Xhaminë “Uhud” të Shkupit u organizua ceremonia e promovimit dhe duasë së Hifzit për hafizen e re Rejhane Murati.

Rejhane Murati, ish-nxënëse e paraleles së vajzave të Medresesë “Isa Beu” në Shkup dhe aktualisht studente në Fakultetin e Shkencave Islame, përfundoi me sukses memorizimin e tërë Kuranit Famëlartë. Ajo është vajza e hoxhës së njohur Sadudin Murati dhe hifzin e realizoi nën përkujdesjen e muhafizes dhe profesoreshës së Medresesë, Hfz. Munever Lutfiu Murtezi.

Ceremonia solemne u nderua me pjesëmarrjen e Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai me bashkëpunëtorët e tij, drejtorit të Medresesë Isa Beu, Dr. Islam Islami, sekretarit të medresesë prof. Avni Neziri, përfaqësuesit të Myftinisë së Shkupit Hfz. Irfan Sulejmani, si dhe shumë imamëve dhe besimtarëve nga mbarë qyteti.

Programi nisi me një recitim të bukur nga hafizja e re Rejhane Murati, ndërsa duasë së Hifzit dhe hutbes së xhumasë iu drejtua Dr. Islam Islami, i cili vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e të rinjve në rrugën e dijes islame.

Në emër të Myftinisë së Shkupit, urimet për hafizen dhe familjen e saj i përcolli Hfz. Irfan Sulejmani, duke e cilësuar këtë ngjarje si një pasuri për gjithë komunitetin.

Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalën e tij, theksoi se të bëhesh hafiz është një mision i shenjtë që lidhet me zinxhirin e dijetarëve të të gjitha kohërave, që nga Profeti Muhamed a.s. e deri më sot.

Familjes Murati dhe muhafizes Lutfiu-Murtezi iu shprehën mirënjohje për angazhimin e tyre në ruajtjen dhe transmetimin e Kuranit, ndërsa hafizes së re iu uruan suksese të mëtejshme në rrugëtimin e saj akademik dhe shpirtëror.

Babai hoxhë, vajza hafize – një histori përkushtimi nga familja Murati
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *