Nga Blerim Shala
Henry Kissinger, diplomati amerikan që me siguri zënë vend në kreun e diplomatëve më të mëdhenj në Shekullin XX, në librin e tij ‘Crisis’ (The Anatomy of Two Major Foreign policy Crisis’), të cilin ky ia dedikon menaxhimit të zhvillimeve dramatike të luftës në Lindjen e Mesme të vitit 1973, dhe përfundimit të luftës në Vietnam në vitin 1975, merret, pos tjerash edhe me pasojat që në aftësinë e Administratës Amerikane për tu preokupuar me këto dy zhvillime pati lënë Afera Watergate e cila detyroi Presidentin e SHBA-së, Richard Nixon të jep dorëheqje dhe të largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Ai në këtë kontekst shkruan: ‘Nuk mund të kesh krizë të autoritetit në shoqëri për një periudhë disamujore, pa paguar çmimin diku gjatë zhvillimit të kësaj krize’. Kissinger është i bindur që Washington-i do të gjendej shumë më mirë në këtë finalen që doli të jetë turpëruese dhe poshtëruese të luftës në Vietnam, po mos të ndodhte ndërrimi i presidentëve në Shtëpinë e Bardhë, ku pas Richard Nixon-it erdhi Gerald Ford si Presidenti i 38-të i SHBA-së.
Amerika pati vendosur t’i jep fund angazhimit të saj në Vietnam, dhe vet Kissinger kishte kontribuar ndjeshëm për arritjen e Marrëveshjes së Parisit disa vite më parë, për të cilën madje pati marrë edhe Çmimin Nobel për paqe. Por, në fund, Bota pa skena fyese dhe tragjike të largimit të amerikanëve nga Saigoni (në muajin prill të vitit 1975), të cilat pa dyshim poshtëruan Amerikën dhe rolin e saj në Botë në vitet kur Lufta e Ftohtë ishte në kulminacionin e saj. Njëlloj do të ndodhë edhe në rastin e tërheqjes së Amerikës nga Afganistani (në muajin gusht të vitit 2021), në kohën kur President i SHBA-së ishte Joseph Biden.
Ky largim i forcave amerikane nga ky shtet ishte edhe më i rëndë, për nga pesha e dështimit, se sa ai nga Vietnami Jugor, sepse këtu, në Afganistan, SHBA-ja pati luftuar me të gjitha mjetet e mundshme, ushtarake, politike, financiare, ekonomike, për ta ndërtuar një shoqëri demokratike e cila do t’i ofrojë të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve të saj.
Thënë figurativisht, në Vietnam Amerikan e pati humbur luftën, e në Afganistan e humbi paqen. Kjo e dyta është gjithsesi më e rëndë, kur dihen kapacitetet politike dhe financiare të Amerikës.
Tërheqja nga Afganistani nuk ndodhi në kohën e ndonjë përplasje të madhe ndërkombëtare, siç ishte rasti me atë të Vietnamit. Kjo dihet. Por këtu, pas braktisjes së Afganistanit, ndodhi një dukuri krejtësisht tjetër: Kjo (braktisje) u bë shkas për mëkëmbjen e Luftës së re të ftohtë midis SHBA-së dhe Rusisë (trashëgimtares të Bashkimit Sovjetik të vet-shpërbërë në vitin 1991, pas dorëzimit paqësor në Luftën e ftohtë që zgjati në vitet 1945-1989), sepse Presidenti i Rusisë Vladimir Putin vlerësoi që Epoka e Pax Americana ka marrë fund, që është shfaqur një vakum/ zbrazëti në Rendin ndërkombëtar, i cili do t’ia mundësojë Rusisë zgjerimin territorial kah perëndimi i saj, me territoret e Ukrainës.
Në këtë mënyrë u krijuan rrethanat për shpërthimin e luftës në Ukrainë e cila ditëve të fundit po e përjeton një eskalim të paparë në pritje të negociatave të cilat duket se janë të pashmangshme për t’i dhënë fund kësaj faze të konfliktit të armatosur, sepse vështirë është të pritet sigurimi i paqeje afatgjatë në marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Ukrainës.
Ai formulimi i sipërm i Henry Kissinger-it për pasojat për zhvillimet në një shoqëri në vijim të krizës së autoritetit, gjen veten edhe më mirë në rrethanat kur ka krizë të autoritetit në Rendin ndërkombëtar, i cili edhe ashtu ka pësuar dëme të pariparueshme pas luftën në Ukrainë dhe luftës në Lindjen e Mesme.
Bota tash e disa vjet ka hyrë në një territor të panjohur, për të cilin nuk ekzistojnë hartat dhe udhëzimet, dhe nga kjo perspektivë, pesimistët do të mund të thonë që gjendja e përgjithshme në Botë është në praktikë më e mirë se sa që do të duhej të ishte në teori.
Në të vërtetë, e tëra kjo çka po ndodhë (dhe ajo çka nuk po ndodhë, e do të duhej të ndodhte), është reflektim i një vet-abstenimi të Amerikë për të qenë prijëse e Botës së lirë. Dhe kjo nuk ka filluar tash. Realisht, kjo ka nisur qysh në mandatin e parë të Presidentit Barack Obama, në vitin 2009.