Turkmenistani ka deklaruar se ka reduktuar dukshëm zjarrin që digjet prej gjysmë shekulli në vendin e famshëm që njihet si “Porta e ferrit”. Prej vitit 1971, zjarri në shkretëtirën Karakum është aktiv që kur shkencëtarët sovjetikë hasën në një xhep nëntokësor me gaz dhe vendosën ta ndiznin. Prej asaj kohe, flakët çlirojnë sasi të mëdha metani, një gaz që ndikon në ngrohjen klimatike.
Autoritetet deklaruan se zjarri, i cili është atraksioni turistik më i vizituar në Turkmenistan, është reduktuar trefish, por nuk specifikuan afatin kohor.
Rreth zjarrit janë hapur disa puse për të grumbulluar metanin, tha Irina Luryeva, një drejtoreshë në kompaninë publike energjetike, Turkmengaz. Turkmenistani është një nga vendet më të mbyllura në botë dhe njëkohësisht rezerva e katërt më e madhe e gazit natyror. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, është lëshuesi më i madh i metanit në botë për shkak të rrjedhjes së gazit, por i ka mohuar këto deklarata.