I krijuar për artin dhe jo veprimin, ekspozohet në muze prezervativi 200-vjeçar

featured

Një prezervativ 200-vjeçar me ilustrim do të ekspozohet këtë javë në Amsterdam, krah mjeshtërve të epokës së artë holandeze, pasi ky “suvenir luksoz” i shekullit të 19-të është kontraceptivi i parë që i shtohet koleksionit artistik të Rijksmuseum. Mendohet se prezervativi, i cili ndoshta është bërë nga apendiciti i një deleje rreth vitit 1830, vjen nga një bordello luksoze në Francë, me shumë gjasë në Paris, shkruan The Guardian. Mbi të gjendet një gravurë me temë erotike që paraqet një murgeshë pjesërisht të zhveshur e cila tregon me gisht drejt organeve gjenitale të tre klerikëve, si dhe frazën në frëngjisht Voila, mon choix (“Ja, kjo është zgjedhja ime”).

Kuratorja e Rijksmuseum-it, Joyce Zelen, tha se përbërja e gravurës i referohet mitit grek të Gjykimit të Parisit, ku një princ trojan duhet të zgjedhë më të bukurën nga tri perëndesha. “Kështu që besojmë se kushdo që e ka blerë këtë prezervativ ka qenë i sofistikuar dhe i mirëarsimuar”, tha ajo.

Prezervativi u ble për 1000 euro në një ankand në Haarlem muajin e kaluar. Këtë javë ai u vendos në një kuti qelqi për ekspozitën e quajtur “Seks i sigurt?” ku përfshihen gravura dhe vizatime holandeze e franceze që kanë në qendër punën dhe shëndetin seksual. Përpara shpikjes së gomës së vullkanizuar në vitin 1839 që i bëri prezervativët më të sigurt dhe më të përballueshëm, ata prodhoheshin nga liri, membrana shtazore apo madje edhe nga guaska e breshkave. Këto versione nuk ofronin shumë mbrojtje kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme si sifilizi apo të parandalonin shtatzëninë.

“Në vitet 1830, kur u prodhua ky prezervativ, përdorimi i tyre shihej ende me sy të keq, veçanërisht nga kisha”, tha Zelen. “Ato shiteshin fshehurazi në bordello, edhe pse ka disa të dhëna që flasin për dyqane luksoze që ofronin shërbimin”. Ky suvenir ka një gjatësi prej 20 centimetrash. “E kemi ekzaminuar me dritë ultravjollcë dhe dyshojmë se nuk është përdorur kurrë në të vërtetë”, u shpreh Zelen duke shtuar se nuk është e qartë se cilit prej tri burrave i drejtohet gishti i murgeshës.

I krijuar për artin dhe jo veprimin, ekspozohet në muze prezervativi 200-vjeçar
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.