Nga Evarist Beqiri*
Vlen për t’u nënvizuar mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij, Vlorë, Shqipëri. Në këtë periudhë Shqipëria ishte akoma pjesë e Perandorisë Osmane. Por, ky fakt është një tregues i ndjenjës së përkatësisë së tij shqiptare. Ismail Qemali ishte shqiptarë, kur nuk kishte Shqipëri.
Ismail Qemali u largua me bujë nga Stambolli më 1 maj 1900. Fillimisht, ai qëndroi dy javë në Athinë. Aty shkëmbeu vizita me kryetarin e Këshillit të Ministrave, z. Georgios Theotoqis, kurse ditën e tretë u prit në audiencë me përzemërsi dhe dashamirësi të madhe nga Mbreti Gjergji I. Në Athinë, Ismail Qemalin e pritën mjaft mirë, sepse njihej si një ndër pjesëtarët e opozitës qeveritare osmane, që kishte përkrahur kërkesat e popullsisë greke të Kretës në luftën për autonominë lokale të saj. Veç kësaj qarqet qeveritare greke kishin interes ta bënin për vete Ismail Qemalin edhe në kuadrin e politikës së tyre ndaj Shqipërisë. Ndërsa sulltani nuk i ndërpreu përpjekjet për ta bindur Ismail Qemalin që të kthehej në Stamboll.
Në vijim, ai u largua nga Athina drejt Romës. Pas tri javësh qëndrimi në Romë, shkoi më pas në Gjenevë, Zvicër, dhe prej andej, më 14 korrik 1900, arriti në Paris. Në Paris qëndroi disa javë. Nga Parisi ai shkoi në Londër dhe më vonë në Bruksel, ku vendosi të zhvillojë veprimtarinë e tij patriotike dhe të hyjë në rrethet diplomatike evropiane, për t’i shfrytëzuar më mirë situatat e krijuara në interes të Shqipërisë.
Faik Konica, në revistën “Albania”, përshkruan edhe takimin që zhvilloi me Ismail Qemalin në vitin 1900, në Bruksel, ku ai ndali kalimthi para se të shkonte në Londër. “Ismail Qemal Vlora, ‘KY I NDRITSHMI’ shqiptar ka të madhe famën, por ca më tepër e ka vlerën, dhe pikërisht për këtë shqiptarët mburren që kanë tek ai një përfaqësues të shquar dhe të madh të racës së tyre.”. Në këtë periudhë ideja themelore e politikës së Ismail Qemal Bej Vlorës, ishte se shqiptarët duhet të punojnë edhe në të ardhmen, në mënyrë të tillë që, nëse një ditë, për faj të turqve por jo për tonin, Perandoria Otomane shembet, gërmadhat e saj të mos zënë poshtë edhe Shqipërinë; të mos të kapen në befasi nga ngjarjet, por të mbrojtur me ndjenjën e së drejtës së tyre për ekzistencë kombëtare, të mund të vazhdojnë të jetojnë si komb.
Ismail Qemali spikaste ndër shtetarët osmanë për aftësitë e tij si politikan, për njohjen e metodave të qeverisjes, për virtytet dhe sjelljen e tij. Por, me gjithë përpjekjet e mëdha të xhonturqve për ta bindur, Ismail Qemali nuk e pranoi postin e kryeredaktorit të organit të komitetit xhonturk në mërgim. Ai kishte vendosur të punonte vetëm për çështjen shqiptare.
Ismail Qemali kishte një dëshirë të hershme për të pasur një organ shtypi për të mbrojtur kauzën shqiptare. Për këtë qëllim, ai i shkroi Faik Konicës, i cili botonte prej disa vitesh gazetën “Albania” në Bruksel, për t’u takuar me të dhe për të parë mundësinë që ta merrte ai gazetën “Albania”. Ismail Qemalit i pëlqeu shumë Brukseli dhe vendosi që ta zgjidhte si vendbanimin e tij të ardhshëm.
Në fillimin e viteve ‘900, ai punoi së bashku me Faik Konicën për revistën “Albania”. Ai donte të gjallëronte revistën “Albania”. Prandaj përfundoi një marrëveshje me Faik Konicën pronarin e saj, dhe mori drejtimin e gazetës duke i ndryshuar edhe emrin në “Shqipnia”. Marrëdhëniet me Faik Konicën nuk zgjatën shumë. Dhe Ismail Qemalit iu desh të hapte një gazetë tjetër. Ai i vuri asaj emrin “Le Salut de l’Albanie”, “Shpëtimi i Shqipërisë”. Gazeta shtypej në shqip, turqisht e greqisht. Arsyeja kryesore e nxjerrjes së kësaj gazete ishte mbrojta e kauzës shqiptare.
Perceptimin e shqiptarëve për Ismail Qemal Vlorën e jep në vitin 1900, edhe konsulli austro-hungarez A. H. Petroviç, në një raport që dërgoi nga Vlora. Ai e quante Ismail Qemalin “personalitetin më të nderuar dhe më popullor ndër shqiptarët që jetojnë sot”. Më poshtë ai shtoi se Ismaili “asnjëherë nuk është udhëhequr nga interesat materialë me gjithë postet e tij”, dhe se “tek ai patriotët shohin shqiptarin më të shquar. Ata e shohin atë si kreun e tyre me nder dhe udhëheqësin e tyre të ardhshëm.”.
Ismail Qemali, duke filluar të paktën që prej vitit 1900, kur ai u largua nga Stambolli, kishte shpalosur haptazi dhe me vendosmëri idenë e tij për ndërgjegjësimin dhe bashkimin e shqiptarëve rreth vizionit të krijimit të shtetit shqiptar. Një përshkrim të jashtëzakonshëm për personalitetin e Ismail Qemalit dhe aktivitetin e tij të jashtëzakonshëm politik në këto vite, na e sjell poeti, shkrimtari dhe gazetari i njohur belg Roland de Mares (1874-1954), në artikullin e tij të 15 prillit 1909, për “Le Matin” në Bruksel. “Ai (Ismail Qemal beu) kishte marrëdhënie me të gjithë ata që kishin emër në politikën ndërkombëtare…” – shkruan ndër të tjera Roland de Mares. Çështja shqiptare kishte qenë kurdoherë busulla e Ismail Qemalit, sepse ai e konsideronte veten në radhë të parë shqiptar dhe pastaj shtetas osman. Aktiviteti dhe veprimtaria e madhe politike e Ismail Qemalit në vitet 1900 – 1908, i dha një shtysë të jashtëzakonshme çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
