Ndërsa Real Madrid përgatitet për një ristrukturim të thellë të skuadrës nën drejtimin e trajnerit të ri Xabi Alonso, klubi ka nisur të lëvizë jo vetëm për afrime të reja, por edhe për largime të mundshme. Një nga çështjet më delikate ka të bëjë me portierin ukrainas Andriy Lunin.
Sipas raportimeve nga ‘DefensaCentral’, drejtuesit madrilenë i kanë komunikuar menaxherit të Lunin, Jorge Mendes, se janë të hapur për të negociuar shitjen e tij nëse mbërrin një ofertë mes 25 dhe 30 milionë euro. Kjo nuk do të thotë se klubi kërkon me çdo kusht ta largojë portierin, por është i gatshëm ta shesë nëse vjen një ofertë e leverdishme.
Edhe pse Lunin rinovoi së fundmi dhe shprehu publikisht përkushtimin ndaj klubit, e ardhmja e tij është e pasigurt për shkak të konkurrencës me Thibaut Courtois. Sezoni i shkëlqyer 2023/24, ku ai ndihmoi në fitimin e tre trofeve, nuk mjafton për ta mbajtur si titullar të padiskutueshëm, me Courtois që mbetet zgjedhja e parë sapo të rikthehet në formë të plotë.
Për këtë arsye, Lunin dhe njerëzit pranë tij po shqyrtojnë mundësinë e një aventure të re, ku ai mund të ketë rol kryesor. Premier League shihet si destinacioni më i mundshëm, pasi disa klube angleze kanë shfaqur interes për të. Mosha e re dhe paraqitjet e sigurta e bëjnë Lunin një investim tërheqës.
Real Madrid e ka bërë të qartë se nëse vjen një ofertë serioze, dyert e “Santiago Bernabéu”-s janë të hapura për largimin e tij.




