Një ish-kirurg francez, 74-vjeçari Joel Le Scouarnec, është dënuar me 20 vjet burgim nga një gjykatë franceze për përdhunimin dhe abuzimin seksual të 299 fëmijëve, gjatë një periudhe prej mbi dy dekadash.
Le Scouarnec, i cili më parë ka punuar si kirurg pediatrik, tashmë është duke vuajtur një dënim prej 15 vitesh burg, pasi më 2020 ishte shpallur fajtor për përdhunimin e katër fëmijëve të tjerë.
Gjyqi i tij i dytë nisi në muajin shkurt të këtij viti dhe përfshinte dëshmi tronditëse për abuzime të kryera nga viti 1989 deri më 2014.
Shumica e viktimave ishin pacientë të mitur, të cilët ndodheshin në spital dhe ishin pa vetëdije ose nën efektin e ilaçeve në momentin kur ndodhnin abuzimet.
Sipas të dhënave të prokurorisë, ndër 299 viktimat ishin 158 djem dhe 141 vajza.
Ky rast është konsideruar si një nga skandalet më të mëdha të abuzimeve seksuale në historinë e sistemit shëndetësor francez.




