Ashpërsohet retorika midis rivalëve politik shqiptar në Maqedoni

featured

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar të premten në mbrëmje një tubim elektoral në qytetin e Strugës, ku theksoi se çështjet madhore politike dhe identitare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe bashkëpunim mbarëkombëtar, përcjell KDP.

Në një fjalim të gjatë para qytetarëve, Ahmeti vlerësoi vendimin e Arben Taravarit, liderit të Aleancës për Shqiptarët dhe aktualisht pjesë e Qeverisë teknike, për t’u distancuar nga partneriteti qeveritar. Sipas tij, Taravari “e ka hetuar tërmetin që do të ndodhë”, duke iu referuar, siç tha, padrejtësive të reja që po u bëhen shqiptarëve në vend.

“Mirë ka bërë zoti Taravari që e ka braktisur partneritetin. E ka kuptuar që padrejtësi të mëdha po na kthejnë 20 vjet pas. Mirë ka bërë. Por edhe ata që qëndrojnë ende në atë partneritet, mos të mbeten aty, se do të mbesin brenda në tunel”, deklaroi Ahmeti.

Duke e nisur fjalën me një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë, Ahmeti tha se nuk i përket “kampit të frikacakëve e as të skeptikëve”, ndërsa kërkoi unitet politik shqiptar përballë asaj që e përshkroi si rrezik për të drejtat e fituara.

Kritikë ndaj ndarjes dhe mohimit të dygjuhësisë

Kreu i BDI-së u shpreh se është shqetësuese gjuha që, sipas tij, është instaluar nga pushteti aktual, përmes të cilës shqiptarët paraqiten si pengesë për zhvillimin e shtetit.

“Është rrënqethëse kur dëgjon në mediat maqedonase se pas 20 vjetësh ‘maqedonasit po e qeverisin më në fund Maqedoninë’. Kjo është një edukatë e gabuar, një manipulim i opinionit publik. Shqiptarët nuk janë të ardhur, nuk janë në shtëpi të huaj. Janë autoktonë në këtë tokë dhe gjuha e tyre është ndër më të vjetrat në botë”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se nuk është e drejtë të krahasohen shqiptarët në Maqedoni me minoritete të tjera në vendet perëndimore.

“Le ta dinë nga këtu, nga Struga, se shqiptarët nuk janë të ardhur si në rastin e arabëve në Francë apo të turqve në Gjermani. Shqiptarët janë këtu që në zanafillë dhe e kanë ndërtuar këtë vend bashkë me të tjerët”, tha Ahmeti.

Ahmeti kritikoi ashpër sistemin gjyqësor, duke e quajtur “selektiv dhe të politizuar”, dhe kërkoi fillimin e një procesi gjithëpërfshirës vetingu për të gjithë funksionarët dhe subjektet politike në vend, përfshirë edhe vetë BDI-në.

“Hajdeni, bëjeni vettingun. Le të fillojë nga unë! Të hapen hetime për të gjitha partitë, për të gjithë funksionarët, për privatizimet. Të mos luajmë me akuza politike. Nuk më frikëson asgjë, sepse nuk jam rritur me bukë të vjedhur”, u shpreh Ahmeti.

Sipas tij, drejtësia është bërë “si amebë” dhe të gjitha institucionet janë përfshirë nga konformizmi.

Ahmeti tha se është e papranueshme tendenca për ta zbehur dygjuhësinë dhe për të larguar gjuhën shqipe nga përdorimi zyrtar në institucionet shtetërore. Sipas tij, vendi nuk mund të ndërtojë një të ardhme europiane duke përjashtuar njërin nga komunitetet më të mëdha.

“Nuk i shërben integrimit në BE mohimi i gjuhës shqipe. Nuk i shërben demokracisë të hiqet dygjuhësia nga tabelat dhe institucionet. Si mund të funksionojë Zvicra me katër gjuhë, dhe ne të kemi problem me dy?”, deklaroi ai.

Duke folur për rolin e BDI-së në skenën politike, Ahmeti kujtoi se partia e tij nuk ka humbur asnjë cikël zgjedhor që nga themelimi dhe se për këtë mbështetje, shqiptarët meritojnë mirënjohje të përhershme.

“BDI është forca më e madhe në vend. Nuk ka parti tjetër që ka fituar 18 palë zgjedhje pa humbje, në 24 vjet. Kjo është përgjegjësi për të udhëhequr me procese. Prandaj i bëj thirrje palës tjetër politike shqiptare që të ulemi në tryezë burrash dhe t’i lëmë mënjanë dallimet e vogla”, u shpreh ai.

VLEN: Nga pastrimi i rrugëve, drejt pastrimit të skenës politike

Ndërkohë, Koalicioni VLEN, nëpërmjet një komunikate të publikuar të shtunën, deklaroi se nisma “Fundjava e Pastrimit” është më shumë se një aksion simbolik. Sipas tyre, kjo paraqet një reflektim të vlerave evropiane në praktikë: përgjegjësi qytetare, angazhim kolektiv dhe përkushtim për një të ardhme me mjedis më të pastër.

Në këtë aksion morën pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë, përfshirë zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti dhe drejtues të tjerë të koalicionit VLEN.

“Por ky aksion nuk është fundi – është vetëm fillimi. Sepse ky vit nuk është vetëm për pastrimin e hapësirave publike, por për pastrimin e skenës politike! Ne po hyjmë në vitin e pastrimit të madh ku qytetarët do të kenë mundësinë të largojnë mbeturinat politike që kanë bllokuar zhvillimin e vendit për vite me radhë”, thuhet në deklaratë.

“Fosilet e BDI-së, që kanë ngelur në pushtetin lokal pa asnjë vizion, do të dërgohen atje ku e kanë vendin – në histori, tek bashkëpartiakët e tyre në opozitë që të reformohen apo reciklohen.”

Sipas VLEN, ky koalicion do të jetë zëri i ndryshimit në çdo komunë shqiptare dhe ofron alternativa konkrete të mirëqeverisjes, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë lokal.

“Nuk kërkojmë thjesht pushtet, kërkojmë pastrim të thellë, të vërtetë dhe të qëndrueshëm”, përfundon deklarata. “Nga rrugët e pastra, në institucione lokale të pastra. Nga fundjava e pastrimit, drejt një viti të pastrimit politik. Koha e fosileve mbaroi – koha e VLEN sapo ka nisur!”

Ashpërsohet retorika midis rivalëve politik shqiptar në Maqedoni
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.